Kryeministri Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste do të fitojë sërish Tiranën dhe Shqipërinë, duke e lidhur këtë objektiv me procesin e integrimit europian të vendit. Sipas tij, PS përfaqëson rrugën përmes së cilës Shqipëria mund të avancojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te panorama politike në vend, duke vënë përballë alternativat e tjera politike me atë që ai e cilësoi si rolin e Partisë Socialiste në garantimin e qëndrueshmërisë dhe vijimin e procesit të integrimit.
Kreu i qeverisë foli gjithashtu për sfidat ndërkombëtare me të cilat përballet Shqipëria, duke përmendur atë që e përshkroi si luftë hibride kundër Bashkimit Europian, përparimit dhe reputacionit ndërkombëtar të vendit.
Një tjetër çështje e rëndësishme e deklaratës ishte fuqizimi ekonomik i Shqipërisë. Në këtë drejtim, Rama iu referua buxhetit të vitit 2027, duke theksuar se mundësitë e reja financiare janë rezultat i zhvillimit dhe forcimit të ekonomisë shqiptare.
“Partia Socialiste nuk mbetet thjesht alternativa më e mirë relative në një hapësirë politike ku aleternativat e tjera janë jo vetëm shumë më të dobëta, por seriozisht të rrezikshme për të nesërmen e vendit. Pas çdonjërës prej tyre vjen kaosi, konfuzioni, paqëndrueshmëria që kërcënon Shqipërinë që është e dukshme për këdo që ka sy të shikojë. PS është partia që do ta fitojë Tiranën dhe Shqipërinë sepse është rruga nga kalon bashkimi me Europën për këtë kohë kaq të ndërlikuar, Shqipëria jonë e vogël pikërisht se është bërë e madhe është bërë dhe arenë e luftës hibride kundër BE, kundër përparimit, kundër reputacionit tonë të rritur ndërkombëtar. Pse kalon nga kjo parti rruga e fuqizimit ekonomik të Shqipërisë? Këtë e tregon më së miri pasqyra e buxhetit 2027. Ai buxhet nuk ra nga qielli, nuk e prodhuan as dëshirat tona që i kemi pasur të mëdha që në krye të herës, por s’kemi pasur mundësinë t’i kthejmë në buxhete sepse nuk na e ka lejuar ekonomia e tkurrur, por e ka bërë pikërisht ekonomia shqiptare që është më e fortë”, tha Rama.

