Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh të fortë ndaj socialistëve, duke paralajmëruar se nuk do të ketë tolerim për ata që nuk marrin seriozisht përgjegjësitë brenda Partisë Socialiste.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te nevoja për një qasje të re ndaj taksave dhe tarifave vendore, duke kërkuar një marrëveshje të unifikuar dhe detyruese për të gjithë kandidatët e PS-së në nivel kombëtar.
Ai theksoi se nuk është e arsyeshme që qeveria të mbajë zero taksën për biznesin e vogël, ndërsa bashkitë të vendosin një sërë tarifash mbi këtë kategori. Sipas Ramës, nevojitet gjithashtu një partneritet i ri strategjik me operatorë të mëdhenj europianë.
Në fokus të deklaratës së tij ishte edhe Tirana, të cilën kreu i qeverisë e cilësoi si një pasqyrë të Shqipërisë, duke kujtuar rezultatet elektorale të socialistëve në kryeqytet gjatë 26 viteve të fundit.
Rama pranoi se humbja e një prej garave elektorale nuk lidhej vetëm me atë që ai e cilësoi si vjedhje të zgjedhjeve me vulë gjykate, por edhe me mangësitë në organizimin e brendshëm dhe vetëbesimin e tepruar të strukturave partiake.
Në këtë kontekst, ai kërkoi angazhim dhe përgjegjshmëri më të madhe nga të gjithë përfaqësuesit e forcës politike, duke paralajmëruar përjashtimin politik të atyre që nuk përmbushin detyrimet.
“Partneritet i ri strategjik me operatorë të mëdhenj europianë pa harruar taksat dhe tarifat vendore për të cilat PS duhet të ketë një kontratë unike, të qartë dhe detyruese për të gjithë kandidatët e saj në rang kombëtar. Nuk bën më sens që qeveria ta ketë 0 taksën për biznesin e vogël, kurse bashkitë ta ngarkojnë me soj-soj tarifash. Për soj-soj arsyesh, Tirana është një sintezë e Shqipërisë, ku kërkesa dhe oferta duhet të jenë të një niveli tjetër.
Mbajeni mirë parasysh faktin që në Tiranën që e kemi fituar 6 herë në 7 në 26 vitet e fundit, kemi qenë një ofertë gjithnjë e një niveli tjetër. Mbajeni edhe më mirë parasysh këtë herë se atë herë që nuk e mbajtëm dot fitoren, na mundi vjedhja me vulë gjykate e zgjedhjeve, por na la në baltë edhe organizimi i bërë me mendjelehtësinë e skuadrës që hyn në fushë e bindur se e ka fitoren në xhep. Nuk besoj se ne rrezikohemi sot nga ajo lloj mendjelehtësie. Dua ta bëj shumë të qartë për të gjithë se kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës me detyrat e familjes sonë politike, nuk do të ketë më vend në këtë shtëpi të madhe politike, ku të gjithë janë të nevojshëm, por askush nuk është i domosdoshëm”, tha Rama.

