Kryeministri Edi Rama u ndal te situata në Bashkinë e Tiranës dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, në nisje të fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste.
Rama e cilësoi situatën e kryeqytetit gjatë dy viteve të fundit si të pazakontë, duke thënë se qytetarët e Tiranës po paguajnë pasojat e një gjendjeje që, sipas tij, nuk ishte në dorën e qeverisë për ta ndalur apo zhbërë.
“Prej dy vitesh Tirana është me kokë të prerë. Kryeqyteti i Shqipërisë dy vite me kokë të prerë, kjo është e pashoq. Por nuk ishte në dorën tonë ta ndalnim apo ta zhbëjmë, pavarësisht se haraçin e pamerituar e paguajnë qytetarët e Tiranës”, u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se përgjegjësia e qeverisë është t’u tregojë qytetarëve se si do të rikuperohet koha e humbur dhe si do të trajtohen problematikat e kryeqytetit.
“Në dorën tonë është t’u tregojmë qytetarëve se si do ta rifitojmë kohën që humbi Tirana në këto dy vite. Si do ta mbyllim plagën e rindërtimit në Kombinat dhe kudo gjetkë. Si do ta adresojmë nevojën për më shumë shkolla në një Tiranë që rritet pa pushim”, deklaroi Rama.