Edhe pse një nga segmentet e rëndësishme të zonës, rruga që lidh qytetin e Lushnjës me njësinë administrative Ballagat e më tej Peqinin, sa vjen e përkeqësohet, duke rrezikuar jetën e përdoruesve.
Drejtuesit e mjeteve që kalojnë përgjatë këtij segmenti tregojnë se prej dy dekadash rruga nuk njeh investime, çka ka sjellë dëmtimin e shtresave asfaltike.
“Kemi kaq vite që kalojmë këtu dhe rruga e prishur. S’ka vënë kush dorë që kur u ndërtua.”- u shpreh njëri prej tyre.
“As që vë kush dorë të paktën të mbyllin këto gropa. As që do t’ia dijë njeri.”- tha një drejtues tjetër.
“Edhe makinat e mëdha e kanë të vështirë. Është bërë shumë, shumë keq. Tani që është sezoni i ullinjve, nuk mund të kalosh dot.”- shtoi drejtuesi tjetër.
Gërryerja e asfaltit në të dyja anët e këtij segmenti rrugor ka ngushtuar gjerësinë e rrugës, teksa manovrat në tentativë për të mbrojtur automjetet nga amortizimi, po bëhen shkak për aksidente.
“Aty te kthesa ka rënë një furgon me 12 a 13 pasagjerë. U dëmtuan, po shyqyr Zotit shpëtuan. Ajo është shembur, po shembet gjithandej."- tha njëri prej banorëve
Bashkia e Lushnjës e ka të pamundur ndërhyrjen me buxhetin e saj në segmentin 15 kilometër të gjatë. Bëhet e ditur se projekti për rikonstruksionin e plotë të rrugës Lushnjë – Ballagat është dorëzuar në Ministrinë e Infrastrukturës, por ende pa një dritë jeshile për investimin.









Komente
Komento