E shtunë, 21 Nëntor 2026 Lajme Ora 12:00 dhe Moti deri në 12:20 Në vijim ora 12:20: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 1 sekondë më parë
Politikë

“Shqipëria dikur lutej të dëgjohej nëpër tryeza…”, Rama nuk e fsheh krenarinë: Sot Tirana krahasohet me qytete evropaine  

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit europian, duke krahasuar pozicionin e vendit në tryezat ndërkombëtare në të kaluarën me atë që ka sot. Gjatë fjalës në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama deklaroi se dikur Shqipëria kërkonte të dëgjohej nga partnerët ndërkombëtarë, ndërsa sot negocion kushtet për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Sipas kreut të qeverisë, fuqizimi diplomatik i Shqipërisë është një nga arsyet pse, sipas tij, rruga drejt integrimit europian kalon përmes Partisë Socialiste. Rama përmendi gjithashtu objektivin e Shqipërisë 2030 në BE dhe vizionin e Tiranës 2030.

Ai u ndal edhe te ndryshimi i kryeqytetit, duke thënë se Tirana ka kaluar nga një vend mbijetese në një qytet ku qytetarët kërkojnë cilësi më të mirë jete.

Megjithatë, Rama pranoi se pritshmëritë e qytetarëve janë rritur dhe se socialistët duhet të ecin me të njëjtën shpejtësi për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre. Ai përmendi si sfida konkrete transportin publik, rrugët, çerdhet dhe hapësirat e përbashkëta.

Reklamë

“Sot qytetari i Tiranës nuk jeton dot më me fotografitë e arritjeve tona, por jeton me rrugën, me autobusin, me çerdhen që e ka larg apo nuk e ka fare”, u shpreh Rama.

Rama: Tjetra që është e rëndësishme të mos e harrojmë është pse kalon nga kjo parti rruga e vetme e fuqizimit diplomatik të Shqipërisë.

Sepse dikur Shqipëria, dhe jo para 100 vjetësh, por edhe në vitet e para kur unë e përfaqësoja së bashku me ministrat e tjerë, ishte një vend që lutej për t’u dëgjuar dhe që ndahej nga tryezat me ndjesinë e një shpërfilljeje ofenduese.

Dikur Shqipëria ishte e detyruar të shpjegonte pse ishte akoma aq larg Evropës. Dikur Shqipëria ulej formalisht nëpër tryeza, por zërin e saj e dëgjonin si zërin e një mize në qyp.

Sot Shqipëria negocion kushtet për t’iu bërë pjesë e BE-së. Nga kjo parti kalon rruga e Tiranës 2030, në Shqipërinë 2030 në BE.

E dinë të gjithë, edhe ata që bëjnë sikur s’e dinë, por ne duhet t’ia tregojmë se nga çfarë humnerë ne e nxorëm Tiranën në një epokë të gjatë mungesash të kudondodhura për çdo gjë.

Pikërisht pse kemi bërë kaq shumë, ne duhet të jemi shumë më pak tolerantë ndaj gjithçkaje që nuk e bëjmë mirë apo që vazhdon të mungojë.

Sot Tirana krahasohet me qytete të Evropës dhe kjo është fitorja jonë më e madhe. Jemi ne që ua kemi ndryshuar njerëzve horizontin e pritshmërive, jemi ne që duhet të vrapojmë me shpejtësinë e pritshmërive të tyre.

Sot qytetari i Tiranës nuk jeton dot më me fotografitë e arritjeve tona, por jeton me rrugën, me autobusin, me çerdhen që e ka larg apo nuk e ka fare, me trotuarin ku ecën dhe që jo gjithmonë e ka të lirë, me pallatin ku banon, por shpesh nuk ka hapësirë, dhe kështu me radhë.

Ne Tiranën e transformuam nga vendi i mbijetesës në vendin ku kërkohet cilësi më e mirë jete.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.