Deklaratat e Veliajt nga burgu, Rama: S’e gjykoj Erionin për ato që thotë e bën, por me mua është në gabim ditë e natë
Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëherësh kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së në Tiranë se nuk e gjykon kryebashkiakun Erion Veliaj për ato që thotë dhe bën nga burgu, por shtoi se ai është në gabim ditë e natë në raport me të dhe me Partinë Socialiste, teksa paralajmëroi se nuk do të tolerohet zbatimi i porosive të tij për shkarkime nga puna në Bashkinë e Tiranës.
“Një njeriu që nuk është i lirë i falet t’i lexojë gabim situatat, t’i gjykojë gabim gjërat, të fantazojë duke folur gabim dhe të porosisë gabimisht punë të gabuara. Po askujt që ka lirinë të marrë vendime në një funksion politik apo që ka detyrën ta vendosë veten në shërbim të të tjerëve, nuk i falet të bëjë të njëjtat gabime dhe lëre pastaj të zbatojë porosi që e bëjnë bashkëfajtor ndaj të tjerëve.
Kështu që çdo drejtuesi të çdo hallke të zinxhirit të drejtimit të Bashkisë së Tiranës – që është dhe anëtar i kësaj familjeje politike, natyrisht, nuk flas për të tjerë – i them sot se goditja e njerëzve në krye të detyrës me porosi nga larg, për motive krejt të pajustifikueshme, as nuk do të harrohet, as nuk do të falet”, u shpreh Rama.
Rama solli në vëmendje dhe denoncoi largimet e fundit nga puna në institucionin vendor. Kreu i qeverisë kritikoi edhe ndërhyrjet e avokatit të Veliajt duke paralajmëruar sanksione politike për zbatuesit e shkarkimeve në bashki.
“Ne jemi partia që e kemi çliruar shtetin shqiptar nga makthi i keqtrajtimeve apo largimeve politike nga puna, duke shpëtuar nderin dhe dinjitetin e mijëra e mijëra mësuesve, infermierëve, policëve, nëpunësve, që përpara se sa ne ta bënim këtë çlirim ishin mish për topat e partisë në pushtet. Kurse prej vitesh tanimë nuk u kërkon askush llogari për kë votojnë, dhe jo më t’i largojë nga puna se nuk paraqiten me uniformën e partisë sonë. Po si mund të largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si dhe të tjera e të tjerë drejtues dhe punonjës në hierarkinë e Bashkisë së Tiranës, pse nuk u bëjnë lajke e share dorëshkrimeve të Lalit nga burgu imagjinar politik? Apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij? Ky i fundit i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është thjesht një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku nuk do të tolerohet më askush që flet dhe sillet me detyrat ndaj popullit dhe ndaj kësaj familjeje si e ëma e Zeqos në majë të thanës.”, tha më tej Rama.
“E përsëris: unë nuk e gjykoj dot Erionin për çfarë ai thotë dhe çfarë ai bën. Po vetëm uroj me gjithë zemër që ai të kuptojë se është në gabim, ditë e natë, në raport me mua dhe në raport me Partinë Socialiste të Shqipërisë. Por ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në Bashkinë e Tiranës që do ta zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë, qofshin anëtarë të kësaj familjeje, qofshin shërbëtorë publikë pa parti si Elona Lalaj, apo qofshin edhe qytetarë demokratë që punojnë në radhët e mijëra e mijëra njerëzve në Bashkinë e Tiranës”, tha kryeministri Rama.
Kreu i socialistëve dërgoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë për strukturat e partisë, duke nënvizuar se askush nuk është i pazëvendësueshëm.
“Nuk besoj se ne rrezikohemi sot nga ajo lloj mendjelehtësie dhe nuk dua të përsëris këtu gjatë çfarë thashë në Asamblenë Kombëtare për fenomenin e të ëmës së Zeqos në majë të thanës. Por dua ta bëj shumë të qartë për të gjithë: se kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës me detyrat ndaj familjes sonë politike dhe me borxhet që u kemi atyre që na kanë besuar drejtimin e Tiranës dhe Shqipërisë, nuk do ketë më vend në këtë shtëpi të madhe politike. Ku absolutisht të gjithë janë të nevojshëm, po ku absolutisht askush nuk është i domosdoshëm”, nënvizoi Rama.
Rama e lidhi zgjidhjen e ngërçit institucional në kryeqytet me zgjedhjet vendore të 9 majit, duke e cilësuar Partinë Socialiste si garancinë e vetme për stabilitetin dhe integrimin europian të vendit.
Ai vuri në dukje se “e dimë të gjithë që mungesa e kryebashkiakut është një problem shumëplanësh për ecurinë e punëve të qeverisjes vendore, të cilin ne do ta zgjidhim vetëm në 9 maj, me fitoren e Tiranës në ditën e madhe të Europës. Dhe ne do ta fitojmë përsëri Tiranën, sepse pavarësisht dhe përtej të metave, dobësive, gabimeve apo edhe fajeve tona, në gjatësinë e një përpjekjeje të vështirë sa 13 vjet përpjekje të mundimshme, Partia Socialiste nuk mbetet thjesht alternativa më e mirë relative. Në një hapësirë politike ku alternativat e tjera janë jo vetëm shumë më të dobëta, po janë seriozisht të rrezikshme për të nesërmen e vendit, pasi pas çdonjërës prej tyre vjen kaosi, vjen konfuzioni, vjen paqëndrueshmëria që e kërcënon sot Shqipërinë si një hije që tanimë është e dukshme për këdo që ka sy të shikojë.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




