Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga Partia Socialiste. Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së për Tiranën, Rama iu referua dy figurave si “të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi”.
Të shtunën e kaluar, kryeministri propozoi largimin e Spiropalit dhe Ndrecës nga partia, por Asambleja nuk votoi për përjashtimin e tyre. Gjatë mbledhjes në Gjirin e Lalzit pati edhe replika mes Ramës dhe ish-kryetares së Kuvendit. Në mbështetje të Spiropalit dolën Erion Braçe, Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko, të cilët kundërshtuan përjashtimin e saj nga forumet drejtuese socialiste.
Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te situata në Bashkinë e Tiranës, duke kritikuar veprimet që, sipas tij, po ndërmerren ndaj drejtuesve dhe punonjësve të institucionit për shkak të qëndrimeve të tyre ndaj Erion Veliajt.
“Ky i fundit i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës, duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është thjesht një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi”, u shpreh Rama, duke iu referuar Veliajt.
Kryeministri paralajmëroi se Partia Socialiste nuk do të tolerojë, sipas tij, qëndrime që bien ndesh me detyrimet ndaj partisë dhe qytetarëve. Ai tha gjithashtu se do të ketë reagim politik ndaj kujtdo në Bashkinë e Tiranës që, sipas tij, do të zbatojë masa kundër punonjësve të institucionit, pavarësisht përkatësisë së tyre politike.
“E dimë të gjithë që mungesa e kryebashkiakut është një problem shumëplanësh për mbarëvajtjen e punëve. Këtë do ta zgjidhim në 9 maj me fitoren në Ditën e Madhe të Europës”, deklaroi Rama, duke iu referuar zgjedhjeve vendore.