“Fitorja në zgjedhje nuk na pret, duhet ta marrim…”, Rama: Dera e Evropës nuk mbyllet pa hyrë Shqipëria
Kryeministri Edi Rama deklaroi se organizimi i ri i Partisë Socialiste në Tiranë nuk do të jetë thjesht një përgatitje për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, por një përpjekje për të rindërtuar marrëdhënien e besimit me qytetarët.
Gjatë fjalës në Asamblenë e PS-së, Rama pranoi se partia ka bërë gabime, ka pasur dobësi dhe madje edhe faje për të cilat është ndëshkuar, por theksoi se socialistët kanë ditur gjithmonë të nxjerrin mësime dhe të ringrihen.
Kreu i qeverisë u shpreh se PS nis organizimin menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve dhe se fitorja nuk mund të merret si e mirëqenë, por duhet arritur përmes punës. Ai e lidhi datën 9 maj me simbolikën e Ditës së Evropës, duke deklaruar se flamuri shqiptar do të valëvitet krah flamurit europian.
Rama: Organizimi i ri i Tiranës do të jetë shumë më tepër se përgatitje për një fitore elektorale. Duhet të jetë rifillimi i një marrëdhënieje të re besimi, mbi të cilën do ta kemi jo shumë të vështirë të ndërtojmë Tiranën 2030 në Shqipërinë 2030 në BE.
Kemi bërë gabime, pa diskutim, kemi pasur dobësi, kemi bërë dhe faje për të cilat edhe jemi ndëshkuar, por ne e kemi pasur gjithmonë diçka që na ka dalluar nga të gjithë të tjerët dhe që ne nuk duhet ta humbim kurrë: aftësinë për të nxjerrë mësime, për t’u ngritur dhe për të vazhduar përpara.
Ne kemi dalë nga tërmeti, nga pandemia, nga krizat e shkaktuara nga duart e mbrapshta, por edhe ato që kemi shkaktuar nga gabimet tona. Nuk u dorëzuam asnjëherë, edhe përballë situatave ku mbase të gjithë menduan se ky ishte fundi ynë.
Ne gjithmonë jemi përpjekur të kuptojmë çfarë duhet të bëjmë më mirë. Edhe pasi kemi fituar dhe të tjerët presin të vijnë zgjedhjet për të filluar të organizohen, ne fillojmë të organizohemi sapo zgjedhjet mbarojnë.
Fitorja nuk na pret ne, fitorja duhet marrë me punë, përulësi, kurajo dhe me avantazh mbi kundërshtarët, ndaj kundërshtarëve.
Sot, kur dera e Evropës është më e hapur dhe më pranë se kurrë, ne jemi këtu për t’u siguruar shqiptarëve se ajo derë nuk do të mbyllet pa hyrë Shqipëria në të.
Në 9 maj nuk kemi një palë zgjedhje të tjera për të fituar, por kemi kryeqytetin për t’ia rikthyer qytetarëve të tij, duke rivënë në lëvizje të plotë të gjithë forcën tonë udhëheqëse dhe më 9 maj, në Ditën e Madhe të Evropës, asgjë nuk është rastësi: flamuri i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit do të valëvitet krah për krah me flamurin e Evropës.
Jo sepse do të fitojmë ne zgjedhjet, por sepse ne do të fitojmë për Tiranën dhe Shqipërinë dhe Tirana e Shqipëria fitojnë vetëm me PS.




