Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“DUA MË SHUMË SHQIPËRINË” NË GALERINË “GURI MADHI” NË KORÇË

“Dua më shumë Shqipërinë” është ekspozita që vijon të qëndrojë e çelur në Galerinë e Artit “Guri Madhi” në Korçë. Ekspozita, e cila do të jetë e hapur deri më 10 dhjetor bashkon piktura, skulptura nga fondi i galerisë (përfshirë vepra nga periudha e realizmit socialist dhe krijime të tjera me temë patriotike), si dhe objekte me vlera historike nga koleksioni i Muzeut Historik të Korçës. Disa prej veprave dhe objekteve ekspozohen për herë të parë për publikun, duke sjellë një rrëfim mbi Ditën e Flamurit, Çlirimin dhe identitetin kombëtar.

2. “HISTORIA E SHQIPËRISË NËN PENËN E ISMAIL QEMALIT” NË VLORË

Në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë vijon të qëndrojë e çelur ekspozita “Historia e Shqipërisë nën penën e Ismail Qemalit”. Ekspozita sjell për publikun dy artikuj autentikë të Ismail Qemalit, të botuar në revistën pariziene “Je sais tout” në vitin 1917, me titujt “Au pays des Shkiptars” dhe “L’Albanie indépendante et son premier M’bret”. Përmes këtyre botimeve, vizitorët do të njihen me mënyrën se si themeluesi i shtetit shqiptar prezantonte Shqipërinë, zakonet dhe karakterin e shqiptarëve për publikun europian. Shkrimet përmbajnë gjithashtu rrëfimin e tij mbi Shpalljen e Pavarësisë, diplomacinë europiane dhe sfidat e qeverisë së parë shqiptare. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 27 nëntor.

3. MBRËMJE ME MUZIKË ROK NË “CHECK-OUT FESTIVAL” NË TIRANË

Në Parkun Olimpik “Feti Borova” në Tiranë vijon edhe sonte në natën e tij të dytë, “Check-Out Festival”. Sonte festivali i kushton mbrëmjen muzikës rock dhe alternative, me performanca live nga grupet “Asgjë Sikur Dielli” dhe “Crossbones”.

4. “1984”/ VEPRA E GEORGE ORËELL, SHFAQJE TE EKSPERIMENTALI

Shfaqja e ndërtuar mbi romanin e njohur të George Orëell, “1984” vijon të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ajo do të vijë edhe sonte dhe nesër në orën 20:00. Me regji nga Dino Mustafić dhe dramatizim nga Jeton Neziraj, ajo vjen si bashkëprodhim me teatrin “Migjeni”.

5. “PËRTEJ KUFIJVE TË KUJTESËS” NGA MIKEL TEMO NË “FAB”

 “Përtej kufijve të kujtesës” (Beyond the Limits of Memory) është ekspozita e Mikel Temos, që është çelur në galerinë FAB në Tiranë. Ekspozita sjell për publikun 16 piktura të krijuara rreth dy dekada më parë, të cilat pas një qëndrimi të gjatë në Kanada dhe një udhëtimi në hapësira të ndryshme ekspozimi, prezantohen për herë të parë në Shqipëri.

6. CIRKU KOMBËTAR / “NE JEMI NDRYSHE” NË TEATRIN E KUKULLAVE

“Ne jemi ndryshe” është shfaqja e Cirkut Kombëtar që do të vijë në skenën e Teatrit të Kukullave të shtunën dhe të dielën në orën 12:30.

7. SHFAQJA/“KUSH I SHPIKU RREGULLAT?” NË TEATRIN EKSPERIMENTAL

“Kush i shpiku rregullat?” është shfaqja për fëmijë me regji nga Semela Skënderasi, që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental edhe nesër në orën 10:30. Përmes një historie që ndërthur lojën, imagjinatën dhe humorin, shfaqja i fton fëmijët të reflektojnë mbi rregullat, lirinë dhe mënyrën se si përballemi me zgjedhjet tona.

8. TEATËR PËR FËMIJË / “MBRETI LUAN” NË TEATRIN E KUKULLAVE

Muzikali “Mbreti Luan”, një produksion që ndërthur kukullat gjigante, muzikën, ngjyrat dhe elementet interaktive do të vijë sot dhe nesër në oraret 10:30 dhe 18:00 në skenën e Teatrit të Kukullave. I konceptuar si një spektakël imersiv, produksioni sjell në skenë një histori të njohur për miqësinë, guximin dhe aventurën.