Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, e cilësoi javën që lamë pas si tejet të zymtë, duke akuzuar qeverinë Rama se miratoi në Kuvend atë që ai e quajti “buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e vendit”.
Berisha deklaroi se 10 miliardë euro nga taksat e shqiptarëve po shpërdorohen, ndërsa qytetarët përballen me rritjen e çmimeve dhe varfërinë.
Siç deklaroi kreu i PD-së, qeveria ka parashikuar 930 milionë euro për shpenzimet e administratës, para që, siç theksoi, mund të përdoreshin për rritjen e pagave, vendosjen e minimumit jetik dhe mbështetjen e pensionistëve.
Lideri demokrat akuzoi mazhorancën se ka refuzuar propozimet e PD-së për qytetarët, ndërsa theksoi se opozita do të vijojë të paraqesë alternativën e saj për përmirësimin e mirëqenies së shqiptarëve.
Fjala e plotë e kryetarit të PD-së, Sali Berisha:
Së pari u përshëndes përzemërsisht dhe u falënderoj për vëmendjen, interesin, komentet dhe pyetjet që do të adresoni.
Java ishte një javë tejet e zymtë, javë në të cilën kriza u thellua edhe më shumë.
Javë në të cilën buxheti i narkoqeverisë u provua në parlament si buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e të gjitha buxheteve të vendit.
10 miliardë euro taksa, mund, djersë dhe përpjekje tuaja, jo vetëm nuk u rikthehen ju, por përkundrazi vidhen dhe shpërdorohen në mënyrën më të papërmbajtur.
Ndërkohë muajin e kaluar, çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën pesë herë më shumë se në hapësirën e BE.
Ndërkohë, EUROSTAT informon se të ardhurat e disponueshme për familjet shqiptare janë më të paketat në rajon.
Informon se mbi 30 përqind e shqiptarëve kanë probleme me kafshatën e gojës.
Edi Rama ka përcaktuar në këtë buxhet 930 milionë para xhepi për administratën e tij, për telefona, zyra, vetura, lukse, ahengje, darka dhe dreka.
Me 930 milionë euro, të dashur qytetarë dhe qytetare, mund të rriteshin me 60 përqind rrogat e ulëta, me 40 përqind rrogat e mesme, mund të vendosej minimumi jetik për shqiptarët dhe natyrisht mund të dyfishohej jo rritja e pensioneve, siç thotë Edi Rama, por indeksimi i tyre në përputhje me rritjen e çmimeve.
Duke i dhënë me minimumin jetik dhe një përgjigje përfundimtare pensionit minimal, pensioneve jo të plota, etj.
Pra, ata të cilët po varfërojnë dhe vjedhin shqiptarët në mënyrën më të papërmbajtur, u zotuan se me buxhetin e ri do të dyfishojnë apo shumëfishojnë vjedhjet e tyre ndaj shqiptarëve.
PD ka paraqitur dhe do paraqesë projektin e vet për mbështetjen e qytetarëve.
Natyrisht asgjë prej propozimeve tona nuk pranohet, por janë shqiptarët që e kanë në dorën e tyre të largojnë sa më shpejt këtë narkoshtet dhe narkoqeveri grabitqare në mënyrë që pasuritë publike t’i shndërrojmë më të mira dhe mirëqenie për qytetarët shqiptarë.
© SYRI.net
Nisma për parti politike/ Agron Tufa sfidon kreun e ish-të përndjekurve: Të shpjegojë letrën e vitit 1990 drejtuar regjimit komunist
Spiropali dhe Ndreca jashtë PS/ Rama nuk i përmend me emër, por konfirmon se janë përjashtuar
Rama kërcënon Veliajn dhe këdo që e ndjek: Kuptojeni se jeni gabim, jeni bashkëfajtorë dhe nuk do ua falim