Dy shtetas danezë dyshohet se janë rekrutuar nga shërbimet ruse të inteligjencës për të vrarë reperin ukrainas Kyivstoner, përpara një koncerti që ai kishte planifikuar të mbante në Danimarkë. Lajmi u raportua nga transmetuesi danez DR, duke iu referuar dokumenteve dhe zhvillimeve në një seancë gjyqësore. Sipas raportimeve, policia arriti të parandalojë komplotin e dyshuar duke arrestuar dy burrat pak para koncertit të reperit, i planifikuar për 25 shtator. Pas arrestimeve, aktiviteti muzikor u shty.
Të dy të dyshuarit kanë mohuar çdo përfshirje në aktivitet kriminal gjatë paraqitjes në gjykatë. Sipas mediave daneze, dy burrat u ndaluan në një automjet ku u gjetën disa armë. Megjithatë, ende nuk janë bërë të ditura detaje të plota se si autoritetet arritën të identifikonin të dyshuarit dhe të zbulonin planin e pretenduar.
Katër persona janë mbajtur në paraburgim që prej shtatorit, por vetëm dy prej tyre dyshohet se kanë pasur rol në planin për vrasjen e reperit. Agjencia daneze e Sigurisë dhe Inteligjencës (PET), së bashku me ministrin e Jashtëm Lars Løkke Rasmussen dhe ministrin e Drejtësisë Peter Hummelgaard, pritet të japin detaje të mëtejshme për çështjen në një konferencë për shtyp.

