Policia e Kosovës ka zhvilluar një sërë ligjëratash edukative dhe sensibilizuese në 42 shkolla fillore dhe të mesme anembanë vendit, si pjesë e përpjekjeve për të parandaluar trafikimin me njerëz.
Në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se aktivitetet u zhvilluan nga data 18 tetor deri më 18 nëntor 2026, me angazhimin e të gjitha njësive të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Njerëz, në kuadër të Strategjisë Kombëtare kundër Trafikimit me Njerëz dhe Planit të Veprimit për zbatimin e saj.
Të lidhura
None found
Rreth 1,162 nxënës të grupmoshave të ndryshme morën pjesë në këto ligjërata, të shoqëruar edhe nga mësimdhënësit e tyre.
Qëllimi kryesor i këtyre aktiviteteve ishte ndërgjegjësimi i nxënësve rreth trafikimit me njerëz dhe shfrytëzimit seksual, njohja me burimet e mbështetjes, si dhe mënyrat për të identifikuar dhe parandaluar situatat e mundshme të rrezikut. Po ashtu, u vu theks te pasojat ligjore dhe sociale që sjell ky fenomen.
Një vëmendje e posaçme iu kushtua identifikimit të hershëm dhe referimit të rasteve të trafikimit me njerëz.
Përveç nxënësve, ligjërata të veçanta u organizuan edhe për mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme në rajonet e Prishtinës, Pejës, Gjakovës dhe Gjilanit.
Këto aktivitete u realizuan në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, drejtoritë komunale të arsimit, koordinatorët e prokurorive themelore, mbrojtësit e viktimave, Qendrat për Punë Sociale, Drejtorinë e Policimit në Bashkësi dhe Parandalim, si dhe organizata të ndryshme joqeveritare.
Në ligjëratat e dedikuara për mësimdhënësit morën pjesë rreth 217 persona, me synim forcimin e aftësive të tyre për identifikimin dhe referimin e rasteve të trafikimit me njerëz.
Gjatë aktiviteteve, pjesëmarrësve iu shpërndanë edhe materiale informuese si postera, broshura, fletore, lapsa dhe çanta.





