‘Skënderbeu’ konfirmon ‘operacionin fshesa’: ‘Mamica’ dhe Ndreca zyrtarisht jashtë PS
Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar përjashtimin nga Partia Socialiste të Plarent Ndrecës dhe Elisa Spiropalit, duke i cilësuar si dy personat që janë larguar së fundmi nga “shtëpia” socialiste.
Deklarata u bë gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së në Tiranë, ku Rama komentoi edhe përplasjet brenda strukturave të Bashkisë së Tiranës, veçanërisht ato që lidhen me Erion Veliajn dhe njerëzit e afërt me të.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë iu referua drejtpërdrejt Plarent Ndrecës, avokatit të Veliajt, duke e kritikuar për ndërhyrjet përmes shkresave zyrtare drejtuar Bashkisë së Tiranës. Rama pretendoi se Ndreca firmos në cilësinë e drejtuesit politik, ndonëse, sipas tij, është një prej dy personave të përjashtuar së fundmi nga PS-ja.
Përveç përjashtimeve, kryeministri u ndal edhe te largimet nga puna në administratën bashkiake. Ai kundërshtoi vendimet që, sipas tij, janë marrë për shkak se punonjës të bashkisë nuk kanë shprehur mbështetje publike për qëndrimet e Veliajt apo të avokatit të tij.
Rama përmendi në mënyrë të veçantë rastin e Elona Lalajt, duke e cilësuar arbitrar largimin e saj dhe të punonjësve të tjerë. Ai paralajmëroi se do të ketë pasoja politike për këdo në Bashkinë e Tiranës që zbaton vendime të tilla.
Rama i drejtohet Veliajt: Shpresoj të kuptojë se është në gabim
Në deklaratën e tij, kryeministri iu drejtua edhe Erion Veliajt, duke thënë se nuk mund ta gjykojë për ato që thotë dhe bën, por duke shprehur shpresën se kryebashkiaku do të kuptojë se po gabon në raport me të dhe Partinë Socialiste.
Në të njëjtën kohë, Rama paralajmëroi se do të gjykojë politikisht me ashpërsi drejtuesit dhe punonjësit e bashkisë që, sipas tij, përfshihen në largime arbitrare nga puna.
Ai e lidhi zgjidhjen e situatës në Bashkinë e Tiranës me zgjedhjet e 9 majit, duke e paraqitur fitoren e PS-së në atë datë si momentin kur do të marrë fund problemi i krijuar nga mungesa e kryebashkiakut.
Më poshtë deklarata e plotë e Edi Ramës:
“Si mund të largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak, dhe të tjerë drejtues e punonjës të bashkisë së Tiranës pse nuk u bëjnë like dhe share dorëshkrimeve të Lalit, nga burgu imagjinar politik apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij. Ky i fundit i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës, duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është thjesht një nga 2 të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi. Nuk do të tolerohet më askush që flet dhe sillet me detyrat ndaj popullit dhe kësaj familje si e ëma e Zeqos në majë të thanës. E përsëris, nuk e gjykoj dot Erionin për çfarë ai thotë dhe bën, por uroj me gjithë zemër që të kuptojë që është në gabim ditë e natë në raport me mua dhe PS-në. Por ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në Bashkinë e Tiranës që do të zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë, qofshin anëtarë të kësaj familje, qofshin shërbëtorë politikë pa parti si Elona Lalaj, apo qofshin edhe qytetarë demokratë që punojnë në radhët e mijëra njerëzve në Bashkinë e Tiranës. E dimë të gjithë që mungesa e kryebashkiakut është një problem shumëplanësh për ecurinë e punëve. Këtë do ta zgjidhim në 9 maj me fitoren në ditën e madhe të Europës”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



