5 milionë dollarë shpërblim për kokën e tij! Arrestohet “El Chapo Isidro”, një nga 10 më të kërkuarit nga FBI, ushtria përleshet me armë me kartelet
Autoritetet meksikane kanë arrestuar një nga bosët më të kërkuar të drogës në botë, Fausto Isidro Meza Flores, i njohur me nofkën “El Chapo Isidro”, pas një operacioni të madh ushtarak në shtetin e Sinaloas. Arrestimi i tij, mbrëmjen e së premtes, më 20 nëntor, u shoqërua me përplasje të armatosura, bllokime rrugësh dhe djegie automjetesh, ndërsa situata shkaktoi panik edhe në një ndeshje bejsbolli që po zhvillohej në qytetin Guasave.
Meza Flores, i konsideruar si drejtues i një prej organizatave më të fuqishme kriminale në Meksikë, ishte përfshirë në listën e 10 personave më të kërkuar nga FBI-ja. Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua nga forcat speciale të ushtrisë meksikane dhe Gardës Kombëtare, në bashkëpunim me shërbimet amerikane të inteligjencës. Bashkë me të u arrestuan edhe dy persona të tjerë, të dyshuar si drejtues të organizatës kriminale: njëri i njohur me nofkën “Serafin”, që dyshohet se ishte numri dy i grupit, dhe një tjetër, i identifikuar si Jose N., që dyshohet se administronte financat e rrjetit.
Arrestimi shkaktoi përshkallëzim të situatës së sigurisë në Guasave, një prej zonave ku organizata kishte ndikim të fortë. Persona të armatosur u përplasën me forcat federale, ndërsa në operacion u përfshinë edhe helikopterë ushtarakë. Sipas raportimeve të mediave vendase, automjete të rënda u dogjën dhe u përdorën si barrikada për të bllokuar akset kryesore rrugore. Autoritetet u kërkuan banorëve të qëndronin në banesa dhe të shmangnin lëvizjet në zonat ku po zhvilloheshin përplasjet.
Një prej momenteve më dramatike u regjistrua në stadiumin Kuroda Park, ku po zhvillohej një ndeshje e kampionatit meksikan të bejsbollit mes Algodoneros de Guasave dhe Venados de Mazatlán. Pas dëgjimit të të shtënave me armë zjarri në zonën përreth, lojtarët ndërprenë lojën dhe vrapuan drejt pankinave për t’u mbrojtur, ndërsa spektatorët nisën të largoheshin të frikësuar nga tribunat. Organizatorët vendosën anulimin përfundimtar të ndeshjes për arsye sigurie, duke sqaruar se përplasjet nuk kishin ndodhur brenda stadiumit, por në zonën përreth tij.
Sipas autoriteteve meksikane, arrestimi u bë pas një hetimi dhe bashkëpunimi të gjatë mes shërbimeve të inteligjencës së Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara. Pamjet e publikuara nga Ministria e Mbrojtjes së Meksikës tregojnë tre të arrestuarit me pranga në duar, të shoqëruar nga forca të shumta të armatosura. Meza Flores pritet të përballet me procedurat për ekstradimin drejt SHBA-së, ku ndaj tij rëndojnë akuza të rënda për trafik droge dhe shkelje të legjislacionit për armët.
Kush është “El Chapo Isidro”?
Fausto Isidro Meza Flores dyshohet se drejton organizatën kriminale “Meza Flores”, e cila vepron kryesisht në shtetin e Sinaloas dhe akuzohet për trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike drejt Shteteve të Bashkuara. FBI-ja e konsideron organizatën të armatosur rëndë dhe të përfshirë në vrasje, rrëmbime, tortura dhe përplasje me grupet rivale. Për informacione që do të çonin në arrestimin e tij, autoritetet amerikane kishin ofruar një shpërblim deri në 5 milionë dollarë.
Ai akuzohet për përfshirje në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës, që dyshohet se ka organizuar prodhimin dhe shpërndarjen e të paktën 500 gramëve metamfetaminë, pesë kilogramëve kokainë, një kilogrami heroinë dhe 1,000 kilogramëve marijuanë, me destinacion tregun amerikan. Akuzat ndaj tij në SHBA datojnë që prej vitit 2012, ndërsa në vitin 2019 u lëshua një urdhër federal arrestimi. Kapja e tij konsiderohet një goditje e rëndësishme ndaj rrjeteve të krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës.




