Gjendet i pajetë në banesën e tij në Toskanë ish-kreu i Policisë Italiane

Botë

Publikuar: 21/11/2026

Gjendet i pajetë në banesën e tij në Toskanë ish-kreu i Policisë Italiane

Ish-kreu i Policisë së Shtetit italian, Gianni De Gennaro, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare. Ai u gjet i pajetë mëngjesin e së shtunës në banesën e tij të fshatit në Toskanë. Sipas mediave italiane, dyshohet se i ka dhënë fund jetës me armë zjarri, i tronditur nga hetimi i Prokurorisë së Caltanissetta-s, ku ishte nën hetim për pengim të drejtësisë.

De Gennaro kishte shkuar i vetëm në banesën e tij dhe nuk u ishte përgjigjur telefonatave të familjarëve. Të shqetësuar nga mungesa e kontaktit, ata njoftuan policinë, e cila e gjeti të vdekur. Sipas raportimeve, që prej kontrolleve të kryera në banesën e tij në kuadër të hetimit, ai kishte ndërprerë marrëdhëniet me të tjerët.

Vdekja e tij vjen në një moment kur çështja ndaj tij pritej të merrte një zhvillim të ri. Prokuroria e Caltanissetta-s kishte kërkuar caktimin e masës së arrestit shtëpiak, por kërkesa ishte rrëzuar nga gjyqtari i hetimeve paraprake. Prokurorët kishin apeluar vendimin dhe më 1 dhjetor Gjykata e Rishqyrtimit pritej të vendoste për kërkesën e tyre.

Hetimi lidhet me dyshimet për pengim të drejtësisë në çështjen e masakrës së Via D’Amelio, ku më 19 korrik 1992 u vra gjyqtari antimafia Paolo Borsellino dhe pesë pjesëtarë të eskortës së tij. Prokurorët dyshojnë se De Gennaro dhe disa ish-bashkëpunëtorë të tij kanë tentuar të pengojnë dëshminë e ish-bashkëpunëtorit të drejtësisë Salvatore Contorno dhe të fshehin dokumente që lidhen me hetimet. De Gennaro i kishte mohuar akuzat.

I lindur në Reggio Calabria, De Gennaro nisi karrierën në polici në vitin 1973 dhe u bë një nga figurat më të rëndësishme të luftës kundër mafias në Itali. Ai bashkëpunoi ngushtë me gjyqtarin Giovanni Falcone në hetimet që çuan në procesin e madh gjyqësor ndaj Cosa Nostra-s. Në vitin 1984 ishte pjesë e operacionit për kthimin në Itali të Tommaso Buscetta-s nga Brazili, i cili më pas pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë.

Karriera e tij vijoi me emërime të rëndësishme. Në vitin 1993 mori drejtimin e Drejtorisë së Hetimeve Antimafia (DIA), ndërsa në vitin 2000 u emërua në krye të Policisë së Shtetit, detyrë që e mbajti për shtatë vjet. Gjatë kësaj periudhe u përball edhe me hetimet për dhunën e policisë gjatë samitit të G8-s në Xhenova, në vitin 2001. Ai u shpall përfundimisht i pafajshëm nga Gjykata e Kasacionit.

Pas largimit nga drejtimi i Policisë, De Gennaro drejtoi nga viti 2008 deri në vitin 2011 DIS-in, institucionin që koordinon shërbimet sekrete italiane. Më pas ishte president i kompanisë Leonardo, ish-Finmeccanica, nga viti 2013 deri në vitin 2020, si dhe drejtoi Bankën Popolare di Bari. Në vitet e fundit ishte i angazhuar edhe në kompaninë Eurolink, pjesë e grupit Webuild, që merret me projektin e urës që do të lidhë Siçilinë me pjesën tjetër të Italisë.

Vdekja e tij shënon fundin e jetës së një prej figurave më të njohura të sigurisë në Itali, karriera e të cilit u shtri për më shumë se 50 vjet dhe u shoqërua si me poste të rëndësishme shtetërore, ashtu edhe me hetime dhe polemika gjyqësore.