E shtunë, 21 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
“Nuk i bënte like dhe share”, Rama përdor Elonën për të goditur Veliajn
Lajme

“Nuk i bënte like dhe share”, Rama përdor Elonën për të goditur Veliajn

Edi Rama ka zgjedhur rastin e Elonës, ish-drejtoreshës së Policisë Bashkiake të Tiranës, për të sulmuar Erion Veliajn, duke e akuzuar këtë të fundit se ka larguar nga puna punonjës që nuk mbështesnin publikimet e tij në rrjetet sociale.

Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste në Tiranë, kryeministri foli për shkarkimin e Elonës dhe të punonjësve të tjerë të administratës bashkiake, duke pretenduar se vendimet janë marrë për shkak se ata nuk pëlqenin dhe nuk shpërndanin postimet e Veliajt nga burgu.

“Po si mund të largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të Kryeqytetit, ashtu si dhe të tjera e të tjerë drejtues dhe punonjës në Bashkinë e Tiranës, pse nuk u bëjnë like dhe share dorëshkrimeve të Lalit, nga burgu imagjinar politik”, deklaroi Rama.

Ironia e Ramës: Dikur Veliaj ishte nxënësi i propagandës së tij

Përplasja mes dy figurave të Partisë Socialiste nxjerr në pah edhe një kontradiktë në mënyrën se si është përdorur komunikimi politik në rrjetet sociale.

Për vite me radhë, Erion Veliaj ka qenë një nga figurat më aktive të PS-së në këtë drejtim, me video të kuruara, postime të përditshme dhe komunikim të vazhdueshëm përmes platformave online. Një model që është përdorur gjerësisht edhe nga vetë Edi Rama.

Por tashmë, me marrëdhëniet mes tyre në pikën më të ulët, kryeministri po e përdor pikërisht këtë mënyrë komunikimi për të kritikuar ish-bashkëpunëtorin e tij. Ajo që dikur ishte pjesë e strategjisë së përbashkët të propagandës, sot është kthyer në një tjetër front të përplasjes politike.

Në shënjestër edhe avokati Plarent Ndreca

Kritikat e Ramës nuk u kufizuan vetëm te Veliaj. Kryeministri sulmoi edhe avokatin e tij, Plarent Ndrecën, duke e akuzuar se po i drejtohet zyrtarisht Bashkisë së Tiranës dhe po firmos dokumente në cilësinë e drejtuesit politik.

“Apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij. Ky i fundit i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik”, u shpreh Rama, duke kujtuar se Ndreca është një prej personave të përjashtuar së fundmi nga Partia Socialiste.

Në thelb, deklaratat e kryeministrit e vendosin edhe një herë përplasjen me Veliajn në qendër të zhvillimeve brenda PS-së. Kësaj here, shkak janë bërë edhe postimet në rrjetet sociale, ku “like” dhe “share” janë kthyer në argumente të një konflikti që po thellohet mes dy ish-aleatëve politikë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.