“Zoti i drogës” në 41-bis, Elvis Demçe tenton t’i japë fund jetës në burg, në gjendje kritike në spital
Elvis Demçe, i konsideruar si një prej eksponentëve kryesorë të kriminalitetit shqiptar në Romë, ka tentuar vetëvrasjen në burgun e Operas, në perfireri të Milanos, ku mbahet në regjimin e posaçëm të burgimit 41-bis.
42-vjeçari tentoi të vetëvarej të enjten, më 19 nëntor, por u pikas në kohë nga punonjësit e policisë penitenciare, të cilët ndërhynë për t’i dhënë ndihmën e parë.
Ai u transportua në spital, ku ndodhet i shtruar në repartin e terapisë intensive në gjendje kritike.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për gjendjen shëndetësore të të burgosurit dhe kërkesat e mëparshme të avokatëve të tij për trajtim të specializuar psikiatrik.
Sipas mbrojtjes, e përfaqësuar nga avokatët Massimiliano Capuzi dhe Marco Franco, Demçe ka probleme psikiatrike që kërkojnë një trajtim të posaçëm. Avokatët kanë kundërshtuar gjithashtu zbatimin e regjimit 41-bis, duke argumentuar se gjendja klinike e klientit të tyre kërkon një tjetër formë asistence.
Kërkesat për transferimin e tij për arsye shëndetësore nuk kanë marrë përgjigjen e kërkuar nga mbrojtja.
Demçe, i njohur si “Zoti i drogës” po vuan një dënim prej 15 vitesh e 4 muajsh për trafik droge, ndërsa sipas raportimeve mediatike, ka edhe një dënim tjetër prej 18 vitesh e 6 muajsh për tentativë vrasjeje.
Hetuesit italianë e konsiderojnë atë një person me rol të rëndësishëm në trafikun e narkotikëve në Romë. Emri i tij është përmendur edhe në hetime që lidhen me rrëmbime, gjoba dhe plane për sulme ndaj eksponentëve të grupeve rivale kriminale.




