Lajmi i fundit

Studentët në protestë para ministrisë së Arsimit

‘Rama shpall Veliajn armik të socialistëve’/ Koka: Asambleja e Tiranës vulosi përjashtimin de facto të tij nga PS

13:51, 21/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në një lidhje me Skype në SYRI TV, gazetari Bledian Koka deklaroi se Asambleja e sotme e PS-së në Tiranë ishte një tjetër përpjekje e Edi Ramës për të goditur politikisht Erion Veliajn dhe për ta paraqitur atë si armik të socialistëve.

Koka u shpreh se pas përjashtimit të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës, Rama ka ndërmarrë edhe distancimin de facto nga Veliaj, ndërsa shqetësimi i tij kryesor është fakti se kryebashkiaku, edhe nga qelia, vijon të ketë juridikisht kompetenca mbi Bashkinë e Tiranës dhe mund të ndikojë në strukturat socialiste përpara zgjedhjeve të 9 majit.

Koka theksoi se mbledhja e sotme tregoi frikën dhe presionin e Ramës, ndërsa rasti i Elona Lalajt u përdor për t'u dërguar një mesazh të qartë socialistëve në prag të betejës elektorale.

Pjesë nga intervista:

Ajo që pamë sot në Asamblenë e Përgjithshme të Tiranës, një event i shpifur, aty në fakt ishin të gjithë drejtuesit politikë të qarqeve të Shqipërisë, çka do të thotë që kjo së pari tregon frikën dhe presionin me të cilin po përballet ose po ndien Edi Rama me afrimin e zgjedhjeve të 9 majit.

Dhe sigurisht, ajo që pamë sot ishte, praktikisht, pas përjashtimit de jure të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndreçës, sot teknikisht dhe praktikisht kishim përjashtimin de facto dhe distancimin de facto ndaj Erion Veliajt, sepse i gjithë mesazhi ishte ky.

Ne sot pamë se si Edi Rama i qante hallin Elona Lalajt, një ushtareje të partisë, e cila u emërua, kujtojmë, një vit më parë në krye të Policisë Bashkiake, që qenka hequr nga puna se bën share dhe like Erion Veliajn nga burgu. Jo se këto gjëra nuk ndodhin, por nuk është se Edi Rama është i shqetësuar për faktin se Erion Veliaj është një fashist, i cili e ushtron fashizmin e tij dhe nga burgu.

Problemi i Edi Ramës me Erion Veliajn është se Erion Veliaj ka tashmë zyrtarisht dhe juridikisht akoma çelësat e bashkisë në dorë dhe, me mënyrën se si veproi me Elona Lalajn, mund të veprojë me të gjithë, si me thënë, njerëzit të cilët Edi Ramës sot, më shumë se kurrë, i duhen të punojnë në maksimumin e tyre për të fituar Bashkinë e Tiranës.

Pra, shikoni se sa bizar dhe perfid është ai mesazhi i sotëm që mbajti Edi Rama në asamblenë e Edi Ramës.

Fakti i gjithë mbledhjes së sotme ishte pikërisht për t'u distancuar një herë e përgjithmonë, për ta treguar Erion Veliajn si armikun e socialistëve, si njeriun që po i bën dëm Partisë Socialiste dhe sigurisht reagimi i Erion Veliajt nga burgu konfirmon pikërisht që kjo asamble e sotme, qëllimi i radhës ishte përjashtimi i tretë de facto i një tjetër anëtari të organizatës kriminale me në krye Edi Ramën, që është Erion Veliaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco