Në vigjilje të 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, iu bashkua Forumit Rinor Mbarëkombëtar.
Gjatë fjalës së tij, Hoxha tha se “është detyra dhe përgjegjësia jonë ta ruajmë, ta zhvillojmë e ta pasurojmë shqipen, duke ua përcjellë atë brezave të ardhshëm përmes shkollës, librit dhe teknologjisë.”
Kjo, sipas Hoxhës, vjen me mbështetje të vazhdueshme për mësuesit e gjuhës shqipe në Shqipëri, në rajon dhe në diasporë, përmes teksteve cilësore, trajnimeve dhe platformave digjitale. Ai theksoi edhe angazhimin e qeverisë që gjuha shqipe të bëjë pjesë në gjuhët zyrtare të BE.
“Shqipja është ADN-ja e identitetit tonë: rrënja që na mban dhe ura që na bashkon, kudo ku jetojnë shqiptarët. 118 vite më parë, në Manastir, u njësua alfabeti i gjuhës shqipe, duke i dhënë një zë të përbashkët kombit tonë. Sot, kjo gjuhë mbetet një nga lidhjet tona më të forta, nga Shqipëria e Kosova te shqiptarët në çdo cep të botës”, tha Hoxha.
“Amaneti i të parëve ishtë ta ruajmë gjuhën e ta trashëgojmë. Angazhimi ynë sot shkon më tej: me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shqipja të kumbojë në Bruksel, përkrah gjuhëve të tjera zyrtare të Europës”, shtoi ai.
Në forum morën pjesë edhe zv.kryetarja e Kuvendit, Evis Kushi, ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja dhe 160 të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.









Komente
Komento