Ish-drejtuesi i Policisë italiane, Gianni De Gennaro, ka ndërruar jetë pasi qëlloi veten me armë zjarri. Sipas burimeve zyrtare, 78-vjeçari u gjet i pajetë në vilën e tij të pushimit në Toskanë.
De Gennaro ishte tronditur thellë nga hetimi që Prokuroria e Caltanissetta-s kishte nisur ndaj tij për masakrën e “Via D’Amelio”, atentatin ku humbi jetën gjyqtari Paolo Borsellino. Në atë dosje ai ishte nën hetim për devijim të hetimeve. Më 1 dhjetor, Gjykata e Apelit pritej të shprehej për kërkesën e arrestit ndaj tij, pasi më parë gjyqtari i hetimeve paraprake e kishte refuzuar atë.
Të lidhura
None found
Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë plotësisht rrethanat e ngjarjes. Të dhënat e para tregojnë se De Gennaro ishte vetëm në shtëpi në momentin e vdekjes. Familjarët e tij dhanë alarmin, të shqetësuar se nuk kishin marrë asnjë lajm prej tij që nga mbrëmja e së premtes, 20 nëntor. Rreth orës 09:00 të mëngjesit, stafi i mirëmbajtjes së vilës njoftoi karabinierët.
Më pas, në orën 09:38, vetë policia telefonoi shërbimin e urgjencës mjekësore 118 për të konstatuar vdekjen. De Gennaro kishte ndërruar jetë menjëherë. Në vendngjarje mbërritën mjeku ligjor i caktuar nga Prokuroria e Grosseto-s, prokurori i çështjes dhe ekspertët e policisë shkencore RIS, të cilët kryen këqyrjen e banesës.
Prokuroria e Caltanissetta-s e kishte vënë nën hetim De Gennaron për devijim të hetimeve në kuadër të dosjes së masakrës së “Via D’Amelio” dhe për zhdukjen e “axhendës së kuqe” të gjyqtarit të vrarë Paolo Borsellino. Ditët e fundit, magjistratët i kishin komunikuar formalisht statusin e të pandehurit dhe kishin urdhëruar kontrolle në disa prona të tij.
Njësia speciale e karabinierëve ROS kishte ekzekutuar gjashtë urdhër-kontrolle në provincën e Romës. Krahas De Gennaros, nën hetim dhe kontroll ndodheshin edhe bashkëpunëtori i drejtësisë Salvatore Contorno, zyrtarja e shërbimeve inteligjente DIS Donatella Peruzzi, truproja Massimo Carnicelli dhe ish-inspektori i policisë Francesco Pacetto.
Sipas hipotezës së prokurorisë, De Gennaro, me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tij, kishte vepruar për të penguar të penduarin e drejtësisë Contorno që të jepte deklarata para prokurorëve, si dhe kishte fshehur dokumente të rëndësishme që lidheshin me arrestimin e tij në vitin 1989 në Siçili. Hetimi synonte të zbulonte përgjegjësitë e zyrtarëve të lartë të shtetit në devijimin e hetimeve për vrasjen e Borsellinos.
Avokati i tij, Francesco Bertorotta, i cili e mbronte së bashku me profesorin e njohur Franco Coppi, u shpreh i shokuar dhe i shkatërruar. Ai fajësoi presionin publik dhe akuzat ndaj klientit, duke thënë se këto janë pasojat e akuzave shpifëse që hidhen si ushqim për opinionin publik. Shtoi se e njihte De Gennaron prej 15 vitesh dhe se para marrëdhënies profesionale kishin një miqësi të fortë.
Ndërkaq, Salvatore Borsellino, vëllai i gjyqtarit të vrarë, reagoi ashpër ndaj prokurorëve dhe i quajti ata përgjegjës për shtytjen drejt vetëvrasjes. Kryeministrja Giorgia Meloni u deklarua thellësisht e tronditur nga kjo ndarje tragjike nga jeta.
Gianni De Gennaro kishte lindur në Reggio Calabria dhe ishte 78 vjeç në momentin e vdekjes. Pasi u diplomua për drejtësi në Universitetin “La Sapienza”, ai hyri në Policinë e Shtetit në vitin 1973.
Për 11 vjet ai punoi krah për krah me gjyqtarin legjendar Giovanni Falcone në hetimet kundër mafies. De Gennaro drejtoi Drejtorinë e Hetimit Antimafia (DIA) dhe në vitin 2000 u emërua në krye të Policisë italiane, detyrë që e mbajti për shtatë vjet. Më tej ai drejtoi Shërbimin Informativ (DIS), ushtroi poste të larta institucionale dhe shërbeu si president i kompanisë së mbrojtjes “Leonardo”, i “Banca Popolare di Bari” dhe i shoqërisë “Eurolink”, e cila merret me projektin e urës mbi ngushticën e Mesinës.








