“Pa gjuhë shqipe nuk ka atdhe, nuk ka Shqipëri, nuk ka shqiptari”, Begaj mesazh të rinjve për Ditën e Alfabetit

21 Nëntor 2026 | 14:43

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përcjellë një mesazh për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, në kuadër të Ditës së Alfabetit. Gjatë një bashkëbisedimi me të rinj nga treva të ndryshme shqiptare, të angazhuar në nismën “Fol Shqip”, kreu i shtetit theksoi se gjuha është një nga shtyllat kryesore të identitetit kombëtar.

Begaj u bëri thirrje të rinjve që të angazhohen më shumë për përdorimin dhe promovimin e shqipes në familje, shkolla, institucione dhe në jetën e përditshme.

“Duhet të bëhemi më proaktivë për të zgjidhur çështjet që ndonjëherë mund të duken të vogla”, u shpreh Presidenti, duke iu referuar edhe thënies së Nënë Terezës për rëndësinë e veprave të vogla të bëra me dashuri të madhe.

“Duhet të bësh punë të vogla me dashuri të madhe për atë që është më e madhe se të gjithë ne: atdheun. Pa gjuhë, pa ‘Fol shqip!’ nuk ka atdhe, nuk ka Shqipëri, nuk ka shqiptari!”, theksoi Begaj.

Një pjesë të fjalës së tij Presidenti ia kushtoi edhe përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke nënvizuar se të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligj duhet të zbatohen edhe në praktikë.

Ai rikujtoi vizitën e tij në këtë vend, ku mbajti një fjalim në gjuhën shqipe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe u takua me studentë të Universitetit të Tetovës, të cilët protestonin për të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe.

“Ju besoj e dini se Presidenti i Shqipërisë mbajti një fjalë në gjuhën shqipe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Kjo nuk ishte thjesht një formalitet. Ishte një mesazh për të treguar se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë në tokën e tyre, në vendin e tyre dhe kanë të drejtat e tyre, të drejta të cilat duhen mbrojtur”, u shpreh Begaj.

Kreu i shtetit theksoi se për çështje të tilla nevojitet bashkëpunimi i të gjithë përfaqësuesve politikë shqiptarë, pavarësisht nëse janë në qeveri apo në opozitë.

“Duhet që të gjithë shqiptarët, që janë përfaqësues të shqiptarëve në qeveri apo në opozitë, të bëhen bashkë për këtë çështje. Nuk ka çështje më të madhe se kjo”, deklaroi Presidenti.

Duke iu referuar Kongresit të Manastirit të vitit 1908, Begaj kujtoi rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve për miratimin e një alfabeti të përbashkët, duke theksuar se edhe sot nevojitet bashkëpunim për çështjet që lidhen me gjuhën, kulturën dhe të drejtat kombëtare.

Gjatë takimit, Presidenti solli gjithashtu si shembull komunitetin arbëresh në Itali, i cili ka ruajtur gjuhën, traditat dhe identitetin shqiptar për më shumë se pesë shekuj.

“Ata kanë ruajtur për më shumë se pesë shekuj gjuhën, kulturën, traditat dhe identitetin shqiptar, dhe janë krenarë për këtë gjë”, u shpreh Begaj.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit, forca të shumta policie rrethojnë godinën

Studentët kanë nisur të shtunën protestën e tyre të radhës. Të grumbulluar në ambientet e Universitetit Politeknik, ata kanë marshuar drejt Ministrisë së Arsimit. Forca...
13:58 | 21/11/2026

Prokuroria e Beratit sekuestron pasuritë e një shtetasi të dënuar për trafik droge në Spanjë e Greqi

Prokuroria e Beratit ka sekuestruar disa pasuri të paluajtshme dhe automjete në pronësi të shtetasit me inicialet D.L. dhe personave të lidhur me të, pasi...
13:02 | 21/11/2026

Delvinë, arrestohet 41-vjeçari i dënuar me 9 vite burg për marrëdhënie seksuale me të mitur

Një 41-vjeçar i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 9 vite burg për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” është kapur...
11:03 | 21/11/2026