Kryetari i Grupimit Rinor Universitar Demokrat, Jurgen Spaho, ka reaguar ashpër ndaj takimit të Edi Ramës me studentët, duke e cilësuar një shfaqje propagandistike me patronazhistët e Partisë Socialiste, të cilët nuk përfaqësojnë studentët protestues.
Spaho akuzoi kryeministrin se po përpiqet të manipulojë dhe të tjetërsojë protestën studentore përmes takimeve fasadë, ndërkohë që më parë ka ushtruar dhunë ndaj të rinjve, i ka gjobitur dhe ka ndërmarrë masa ligjore për t'u kufizuar lëvizjen e lirë.
Ai kritikoi edhe pedagogët pjesëmarrës në takim, duke i akuzuar se janë bërë pjesë e propagandës së pushtetit.
Spaho theksoi se studentët protestues nuk pranojnë asnjë dialog me Ramën pa dorëheqjen e tij, ndërsa rikonfirmoi mbështetjen e të rinjve demokratë për kërkesat e protestuesve.
“Rinia nuk është dekor i pushtetit, universiteti nuk është celulë partie dhe protesta nuk negociohet me marioneta politike! Edi Rama, ik me dorëheqje! Studentët nuk të takojnë. Për ta nuk vlen as sa Ramiz Alia në vitin 1990”, deklaroi Spaho.
Kryetari i Grupit Rinor Universitar Demokrat, Jurgen Spaho:
Ajo që Edi Rama provoi dje të shesë si dialog me studentët protestues, nuk ishte gjë tjetër veçse një takim propagandistik me patronazhistët e tij. Një përpjekje e dëshpëruar për të krijuar përshtypjen se po dëgjon rininë, ndërkohë që po shpërfill zërin e mijëra studentëve që kanë dalë në rrugë për të kërkuar përgjegjësi politike dhe largimin e tij. Jo vetëm kaq por i dhunoi, i gjobiti, bëri paketë ligjore për tu kufizuar lëvizjen e lirë.
Qytetarët duhet ta dinë: ata që u ulën sot me Edi Ramën nuk përfaqësojnë studentët protestues! Ata janë anëtarë të strukturave politike të Partisë Socialiste, patronazhistë të pushtetit, të cilët kryeministri i përdor si dekor për propagandën e tij. E njëjta gjë vlen edhe për pedagogët e pranishëm, të cilët, në vend që të mbrojnë dinjitetin dhe autonominë universitare, zgjodhën të bëhen pjesë e një skenografie politike.
Studentët e vërtetë nuk kanë kërkuar fotografi, favore apo takime fasadë me kryeministrin. Ata kanë artikuluar një qëndrim të prerë, një ultimatum politik dhe qytetar: NUK KA DIALOG ME EDI RAMËN PA DORËHEQJEN E TIJ!
Në cilësinë e Kryetarit të Grupimit Rinor Universitar Demokrat, duke i njohur studentët, protestën dhe kërkesat e tyre, dua tu siguroj se zëri i studentëve protestues nuk mund të tjetërsohet, korruptohet apo manipulohet nga askush. Ne e dimë cfarë duan dhe qëndrojmë në krah të tyre dhe mbështesim kërkesat e tyre.
Rinia nuk është dekor i pushtetit, universiteti nuk është celulë partie dhe protesta nuk negociohet me marioneta politike!
Edi Rama, ik me dorëheqje!
Studentët nuk të takojnë. Për ta nuk vlen as sa Ramiz Alia në vitin 1990.
© SYRI.net
Policia me forca të shumta kundër protestuesve para Ministrisë së Arsimit, përplasje për bllokimin e Rrugës së Durrësit
‘Do t’i gjykojmë me ashpërsinë më të madhe’/ Kush janë drejtorët që kryebashkiaku i burgosur ia hoqi Ramës nga bashkia
‘Rama shpall Veliajn armik të socialistëve’/ Koka: Asambleja e Tiranës vulosi përjashtimin de facto të tij nga PS