Në prag të 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Forumin Rinor Mbarëkombëtar, ku vuri në fokus rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të gjuhës shqipe.
Gjatë fjalës së tij, Hoxha e cilësoi shqipen si një element themelor të identitetit kombëtar, duke theksuar se ajo shërben si një lidhje e përbashkët për shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë.
“Shqipja është ADN-ja e identitetit tonë: rrënja që na mban dhe ura që na bashkon, kudo ku jetojnë shqiptarët. 118 vite më parë, në Manastir, u njësua alfabeti i gjuhës shqipe, duke i dhënë një zë të përbashkët kombit tonë. Sot, kjo gjuhë mbetet një nga lidhjet tona më të forta, nga Shqipëria e Kosova te shqiptarët në çdo cep të botës”, deklaroi ministri.
Hoxha nënvizoi se ruajtja, zhvillimi dhe pasurimi i gjuhës shqipe është një përgjegjësi që duhet të përcillet edhe te brezat e ardhshëm, përmes arsimit, librit dhe teknologjisë.
“Është detyra dhe përgjegjësia jonë ta ruajmë, ta zhvillojmë e ta pasurojmë shqipen, duke ua përcjellë atë brezave të ardhshëm përmes shkollës, librit dhe teknologjisë”, u shpreh ai.
Në këtë drejtim, ministri theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për mësuesit e gjuhës shqipe, si në Shqipëri dhe rajon, ashtu edhe në diasporë. Kjo mbështetje, sipas tij, duhet të realizohet përmes teksteve cilësore, trajnimeve dhe platformave digjitale.
Një tjetër angazhim i përmendur nga Hoxha ishte edhe përfshirja e gjuhës shqipe mes gjuhëve zyrtare të Bashkimit Evropian, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë.
“Amaneti i të parëve ishte ta ruajmë gjuhën e ta trashëgojmë. Angazhimi ynë sot shkon më

