Tre të rinj janë arrestuar nga Policia e Elbasanit, pasi u kapën në flagrancë duke transportuar 9 emigrantë nga vendet e treta me dy automjete, kundrejt përfitimit financiar.
Të arrestuarit janë A.D., 25 vjeç, M.T., 21 vjeç dhe K.N., 23 vjeç, të tre banues në Korçë. Ata u ndaluan në kuadër të operacionit policor të koduar “Tranzit 4”, të finalizuar në orët e para të mëngjesit.
Sipas policisë, emigrantët dyshohet se kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar përmes kufirit të gjelbër në Korçë. Më pas, ata do të transportoheshin drejt pikave të kalimit kufitar të Hanit të Hotit dhe Morinës.
Gjatë operacionit, uniformat blu sekuestruan dy automjetet që përdoreshin për transportimin e emigrantëve, si dhe pesë aparate celularë.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Krimin e Organizuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas administrimit të informacioneve për një rast të transportimit të paligjshëm të emigrantëve.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.

