Shqipëria shkruan historinë në ski, Lara Colturi triumfon në Kupën e Botës
Lara Colturi ka shkruar historinë e sportit shqiptar, duke fituar garën e sllallomit në Gurgl të Austrisë dhe duke i dhuruar Shqipërisë suksesin e parë në historinë e Kupës së Botës në skitë alpine.
Skiatorja 20-vjeçare, e cila përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ka triumfuar në garën e zhvilluar të shtunën, më 21 nëntor, duke regjistruar një rezultat të jashtëzakonshëm në një prej kompeticioneve më të rëndësishme të sportit të skive.
Colturi e përfundoi garën me kohën e përgjithshme 1 minutë, 45 sekonda e 47 të qindtat, duke lënë pas dy skiatorë të Suedisë. Sara Hector u rendit e dyta, me 27 të qindtat më shumë, ndërsa Anna Swenn Larsson përfundoi në vendin e tretë, 30 të qindtat larg fitueses.
Pas lëshimit të parë, shqiptarja ishte në vendin e dytë, 24 të qindtat pas suedezes Anna Swenn Larsson. Në lëshimin e dytë, Colturi zhvilloi një paraqitje fantastike, duke përmbysur rezultatin dhe siguruar triumfin historik.
Ky është suksesi i parë i Colturit në karrierën e saj në Kupën e Botës, pas dy vendeve të dyta në garat e para të këtij sezoni, në Sölden dhe Levi.
Një arritje e jashtëzakonshme për sportin shqiptar, që tashmë shkruan një kapitull të ri në historinë e skive alpine. Lara Colturi ngjitet në majën e podiumit dhe bën që flamuri kuqezi të valëvitet në një prej skenave më prestigjioze të sportit botëror.




