Policia e Gjirokastrës ka finalizuar operacionin e koduar “Final Sale”, në kuadër të planit operacional “Shkolla të Pastra”, me qëllim parandalimin dhe goditjen e shitjes së lëndëve narkotike pranë institucioneve arsimore.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë 29-vjeçari Kejvin Kardhashi, ndërsa 22-vjeçari Orgito Çako u procedua penalisht. Të dy janë banues në Gjirokastër.
Sipas policisë, të rinjtë u kapën pranë dy shkollave në qytetin e Gjirokastrës, ku secili kishte me vete një sasi të vogël kanabisi të ndarë në doza.
Në kuadër të ndërhyrjes, uniformat blu sekuestruan lëndën narkotike, një automjet dhe dy telefona celularë.
Operacioni u organizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

