Zyrtarët e Trump-it publikojnë ‘prova’ për Këmbëmadhin

Zyrtarët e Trump-it publikojnë ‘prova’ për Këmbëmadhin

14:50, 21/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në prag të inaugurimit të Donald Trump-it, ai premtoi të publikonte dosje sekrete të qeverisë amerikane.

Por vetëm tani administrata Trump ka publikuar disa nga dosjet që kanë ngjallur ndoshta më shumë interes se të tjerat: ato për Këmbëmadhin.

Dokumentet, të mbajtura të fshehta prej vitesh, përshkruajnë dëshmi për shfaqjen e një krijese misterioze, me trup të mbuluar me qime, që kalonte nëpër pyje dhe linte pas gjurmë jashtëzakonisht të mëdha.

Sipas një sondazhi të You Gov të vitit 2021, gati një e katërta e amerikanëve besojnë në ekzistencën e kësaj krijese, e njohur edhe si Sasquatch.

Dëshmia më e famshme për të është ajo e Roger Patterson dhe Robert “Bob” Gimlin, në vitin 1967.

Ata po realizonin një dokumentar dramatik për Këmbëmadhin në Bluff Creek, në Kaliforninë veriore, dhe pretendojnë se e filmuan krijesën duke u larguar me hapa të ngadaltë, në një video që zgjat gati 60 sekonda.

Fotot e shkëputura nga pamjet e pretenduara janë shumë të pëlqyera nga entuziastët, ndërsa videoja vazhdon të shqyrtohet, analizohet dhe debatohet gjerësisht.

Një nga dosjet e publikuara nga administrata Trump lidhet me atë që njihej si hetimi për qenin në Utah.

Image

Hetimi u krye në pranverën e vitit 2010, në emër të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, nga Bigelow Aerospace Advanced Space Studies.

Raporti prej 60 faqesh u përgatit nga një ekip prej katër personash, i dërguar në Fort Duchesne, një komunitet i vogël në kontenë Uintah, në verilindje të Utahut.

U intervistuan më shumë se 25 persona, mes tyre një shaman, anëtarë të Kishës Mormone dhe drejtori lokal i peshkimit dhe faunës së egër.

Image

U vendosën gjithashtu disa kamera dixhitale.

Dëshmitarët raportuan se kishin parë një “skinwalker”, një shtrigë në kulturën Navajo, që mund të shndërrohej në kafshë. Sipas njërit prej dëshmitarëve, krijesa lëvizte si një “atlet profesionist i vrapimit”.

U raportuan edhe fenomene të tjera të çuditshme.

Dëshmitarët kishin parë topa drite të paidentifikuar nga afër, krijesa në formë qeni që vraponin me dy këmbë gjatë ditës, ulërima dhe britma të pazakonta kafshësh, si dhe “njerëz të vegjël që ulërinin”, thuhej në raport. Po ashtu, raportoheshin “zogj që ngjanin me ata të kohës parahistorike dhe një larvë që ishte rreth 2,4 metra e gjatë dhe 60-90 centimetra në diametër”.

Image

Raporti përshkruante edhe një krijesë të quajtur “metamorf”, me shpinë të kërrusur, ngjyrë të zbehtë dhe pa qime, e cila “kaloi mbi gardh dhe u largua duke përdorur duart, në një mënyrë që ngjante me lëvizjen e një shimpanzeje”.

Krijesa tjetër ngjante më shumë me një qen, kishte feçkë si të derrit dhe trup të mbuluar me qime, sipas dokumentit.

Image

“Krijesa, e cila ishte sa një burrë i madh, dukej se ishte agresive. Ai u frikësua dhe u largua nga zona”, deklaroi një dëshmitar.

Qimet e gjetura në vendngjarje u analizuan dhe rezultuan se i përkisnin një qeni dhe një rakuni. Raporti arriti në përfundimin se incidentet ishin rezultat i folklorit lokal.

Një raport tjetër përshkruan një përballje të pretenduar pranë Petty Creek, në Montana, në vitin 1941. Rrëfimi prej gjashtë faqesh, i shkruar në vitin 1980 nga Leo Kinney, përshkruan zbulimin e gjurmëve të çuditshme nga një grup gjuetarësh.

Gjuetarët kishin vrarë një dre të madh dhe, kur u kthyen për të marrë trupin, gjetën vetëm të brendshmet e tij. Gjurmët tregonin se trupi ishte marrë nga një krijesë jashtëzakonisht e madhe.

Image

“Në fillim menduam se ishte një ari”, shkroi ai. “Por arinjtë nuk ecin me këmbët e pasme, përveç distancave të shkurtra, dhe zakonisht do ta tërhiqnin zvarrë një trup kaq të madh.

“Çfarëdo që të ishte, e ngriti drerin të tërin dhe e largoi pa e prekur tokën”.

Përveç gjurmëve të mëdha, kishte edhe një erë të fortë dhe grupi i gjuetarëve dëgjoi një zhurmë të fortë gërhitjeje.

Pas një diskutimi të shkurtër, burrat vendosën se ishte më e mençur të ktheheshin në shtëpi, në vend që të përpiqeshin të ndiqnin krijesën.

Më pas, në qershor të vitit 1982, u zhvillua një hetim për disa gjurmë të gjetura në Low Creek, Oregon.

Image

Dosja përmban të dhëna të hollësishme, përfshirë fotografi të gjurmëve pranë një metri matës, për të treguar përmasat e tyre të jashtëzakonshme.

Njëra prej gjurmëve ishte e këmbës së djathtë, 38 centimetra e gjatë dhe 18 centimetra e gjerë, afërsisht dyfishi i madhësisë së këmbës së një burri mesatar.

Studiuesit arritën në përfundimin se gjurmët nuk ishin lënë nga një ari.

“Gjethet dhe mbeturinat e imëta të pyllit ishin larguar para se të krijohej gjurma. Ishte e qartë se ato ishin zhvendosur nga zona e gjurmës në një mënyrë të panatyrshme”, thuhej në përfundimet e raportit.

Image

‘Përpjekje për mashtrim’

Dosja përmban dy memorandume. Njëri është shkruar nga biologu Rodney Johnson, ndërsa tjetri nga Joel Hardin, gjurmues i Patrullës Kufitare.

Hardin arriti në përfundimin se gjurmët ishin “një përpjekje shumë e sofistikuar për të kryer një mashtrim”.

Sipas tij, ato ishin krijuar duke përdorur një këmbë artificiale, të bërë prej gome ose gipsi të butë.

Në vitin 1972 u krijua Instituti i Kërkimeve për Këmbëmadh-in, “i përkushtuar ndaj hetimit dhe kuptimit shkencor të Këmbëmadh-it dhe krijesave të tjera të panjohura”.

Sipas faqes së tij të internetit, qëllimi i institutit ishte të zbulonte “të vërtetën pas misterit të Këmbëmadhit”. / The Telegraph – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco