Rama dialog me studentët? Nënkryetari i Bashkisë Tiranë “i çjerr maskën” pa dashje kryeministrit
Takimi i zhvilluar nga kryeministri Edi Rama mbrëmjen e kaluar në Pallatin e Brigadave, i prezantuar si një dialog me studentë protestues, po shoqërohet me pikëpyetje mbi identitetin dhe përfaqësimin e të rinjve që morën pjesë në të.
Gjithçka nisi me publikimin e një fotografie dhe më pas të një videoje nga vetë kreu i qeverisë, i cili pretendoi se kishte zhvilluar një bisedë me studentë që kërkojnë dialog dhe distancohen nga dhuna. Por ky version u vu në diskutim, pasi prej javësh studentët protestues kanë refuzuar ftesat e Ramës për t’u ulur në tryezë me të.
Për këtë arsye, prania e disa të rinjve në Pallatin e Brigadave ngriti dyshime nëse ata përfaqësonin vërtet lëvizjen studentore apo ishin persona të tjerë të afërt me strukturat politike.
Një detaj që tërhoqi vëmendjen u publikua sot nga Andi Seferi, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Në postimin e tij, ai ndau një fotografi ku shfaqet djali i tij, Mateo Seferi, duke i shtrënguar dorën kryeministrit Edi Rama.
Lidhja familjare nuk përfundon këtu. Nëna e Mateos, Denada Seferi, mban postin e zëvendësministres së Shëndetësisë.
Kështu, një publikim i bërë nga vetë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës zbuloi një prej personave që kishte marrë pjesë në takimin e Ramës, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si u përzgjodhën të rinjtë që u prezantuan si pjesë e dialogut me studentët protestues.
Në një kohë kur protesta studentore vijon dhe kërkesat e saj mbeten të pandryshuara, çështja që shtrohet është nëse takimi në Pallatin e Brigadave përfaqësonte realisht zërin e studentëve që protestojnë apo një grup të rinjsh të zgjedhur jashtë përfaqësimit të tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




