E shtunë, 21 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Skandali me 27 tonë mish derri nga Brazili, AKU shkarkon 4 inspektorë
Lajme

Skandali me 27 tonë mish derri nga Brazili, AKU shkarkon 4 inspektorë

Katër inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) kanë humbur vendet e punës pas shkeljeve të konstatuara në procedurat e kontrollit të një ngarkese prej 27 tonësh mish derri të importuar nga Brazili. Rasti lidhet me një ngarkesë të sjellë nga kompania “KING-MIT”, ndërsa hetimi administrativ ka evidentuar mangësi serioze në verifikimin e dokumentacionit dhe zbatimin e procedurave ligjore.

Vendimi për largimin e punonjësve është marrë nga Komisioni Disiplinor i Inspektoratit të Përgjithshëm, institucioni i drejtuar nga Dashnor Sula, pas shqyrtimit të dokumenteve dhe zhvillimit të seancave dëgjimore me personat përgjegjës.

Një prej inspektorëve të ndëshkuar, me inicialet L.B., ushtronte funksionin në Pikën e Kalimit Kufitar në Durrës. Sipas konstatimeve të Inspektoratit, ai nuk kishte kryer verifikimin e plotë të dokumentacionit të ngarkesës, nuk kishte kontrolluar nëse stabilimenti eksportues ishte i autorizuar dhe as nëse certifikata shoqëruese ishte autentike.

Këto mangësi janë konsideruar shkelje të rënda të detyrimeve ligjore që duhet të përmbushen gjatë kontrollit të produkteve ushqimore që hyjnë në territorin shqiptar.

Masat disiplinore nuk janë kufizuar vetëm te punonjësi i pikës kufitare në Durrës. Nga detyra janë larguar edhe tre inspektorë të Drejtorisë Rajonale të AKU-së në Fier, të identifikuar me inicialet E.T., K.K. dhe M.G.

Sipas vendimit të Komisionit Disiplinor, këta të fundit kanë dështuar të verifikojnë në mënyrë të plotë dokumentacionin, të evidentojnë të gjitha shkeljet dhe të vendosin një masë administrative në përputhje me seriozitetin e problematikave të konstatuara.

Përpara marrjes së vendimit, Inspektorati i Përgjithshëm ka administruar materialet e përcjella nga AKU-ja, ka ngritur Komisionin Disiplinor dhe ka zhvilluar dy seanca dëgjimore me inspektorët e përfshirë.

Kontrollet shtrihen edhe te drejtuesit e AKU-së

Largimi nga puna i katër inspektorëve nuk shënon përfundimin e verifikimeve për këtë çështje. Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar një tjetër proces administrativ, këtë herë për të shqyrtuar ligjshmërinë e procedurave të ndjekura nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së gjatë importimit dhe kontrollit të ngarkesës me mish derri.

Në fokus të këtij procesi do të jenë dokumentacioni i administruar, veprimet institucionale dhe përgjegjësitë e strukturave të tjera që kanë pasur rol në procedurën e importit dhe inspektimit.

Inspektorati i Përgjithshëm ka bërë të ditur se nuk do të tolerojë neglizhencën apo mosrespektimin e detyrimeve ligjore nga punonjësit e AKU-së, duke vënë theksin veçanërisht te përgjegjësia e inspektorëve që kontrollojnë produktet ushqimore në pikat kufitare.

Siguria ushqimore është cilësuar si një prej prioriteteve kryesore të institucionit, ndërsa rasti i 27 tonëve mish derri nga Brazili rikthen vëmendjen te funksionimi i kontrolleve që duhet të garantojnë se produktet e importuara plotësojnë standardet përpara se të mbërrijnë te konsumatori.

Megjithatë, mbetet ende pa përgjigje një nga pyetjet më të rëndësishme të kësaj çështjeje: Çfarë ndodhi me 27 tonët mish derri? Në njoftimin zyrtar nuk sqarohet nëse ngarkesa është bllokuar, nëse është kthyer në vendin e origjinës apo nëse një pjesë e saj ka përfunduar në tregun shqiptar. Po kështu, nuk jepen të dhëna për destinacionin përfundimtar të produktit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.