Vendosni fjalën kyçe....

Shkarkohen katër inspektorë të AKU-së pas shkeljeve në kontrollin e 27 tonëve mish derri nga Brazili



Katër inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) janë shkarkuar nga detyra pas shkeljeve të konstatuara në procedurën e kontrollit të një ngarkese prej 27 tonësh me mish derri, të importuar nga Brazili nga kompania KING-MIT.

Vendimi është marrë nga Komisioni Disiplinor i Inspektoratit të Përgjithshëm, pas shqyrtimit të dokumentacionit, vlerësimit të përgjegjësive individuale dhe zhvillimit të seancave dëgjimore.

Masa e largimit nga detyra është dhënë për inspektorin L.B., në Pikën e Kalimit Kufitar të AKU-së në Durrës, si dhe për tre inspektorët E.T., K.K. dhe M.G., pranë Drejtorisë Rajonale të AKU-së në Fier.

Sipas Inspektoratit të Përgjithshëm, inspektori në Durrës nuk kishte verifikuar plotësisht dokumentacionin e ngarkesës, stabilimentin e autorizuar për eksport dhe vërtetësinë e certifikatës. Këto mangësi kanë bërë të mundur kalimin e ngarkesës në kundërshtim me kërkesat ligjore.

Ndërsa tre inspektorët në Fier nuk kishin identifikuar të gjitha shkeljet e konstatuara dhe kishin vendosur një masë administrative që nuk ishte proporcionale me natyrën dhe rëndësinë e tyre.

Përveç masave disiplinore ndaj katër punonjësve, Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar verifikimin e ligjshmërisë së procedurave administrative të ndjekura nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së për importimin dhe inspektimin e kësaj ngarkese.

Verifikimi do të përfshijë dokumentacionin, veprimet e kryera dhe përgjegjësitë e strukturave të përfshira në këtë proces. Inspektorati i Përgjithshëm ka theksuar se nuk do të tolerojë neglizhencën apo shkeljen e procedurave nga inspektorët e AKU-së, duke e cilësuar sigurinë ushqimore si një nga prioritetet kryesore.