Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar akuza të reja ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, këtë herë lidhur me shpenzime të pretenduara prej 69 mijë eurosh për ndërhyrje kirurgjikale dhe estetike.
Në një reagim publik, Bardhi pretendon se Balluku ka kryer ndërhyrje në disa klinika të një kirurgu plastik me aktivitet ndërkombëtar, në Beverly Hills, Miami, Dubai dhe Milano. Sipas tij, kostoja e këtyre ndërhyrjeve arrin në rreth 69 mijë euro, ndërsa pagesat nuk janë deklaruar sipas përcaktimeve ligjore.
Deputeti i PD-së ka ngritur pikëpyetje mbi burimin e parave dhe deklarimin e shpenzimeve, duke i lidhur pretendimet e tij edhe me pasuritë e Ballukut. Bardhi përmendi dy vila, të cilat sipas tij kapin vlerën e 1.8 milionë eurove.
Në reagimin e tij, Bardhi e cilësoi këtë rast si një tjetër shembull të korrupsionit dhe kritikoi SPAK-un për moshetimin e pretendimeve të tij.
“Belinda Balluku nuk i ka deklaruar pagesat për këto operacione, siç e përcakton ligji. Ajo e ka fshehur pagesën prej 69 mijë eurosh, njësoj siç ka fshehur dy vilat e zbuluara prej 1.8 milionë eurosh”, shkruan Bardhi.
Ai bëri edhe një krahasim mes shumës së pretenduar për ndërhyrjet estetike dhe pensionit mesatar në qytet, duke thënë se me 69 mijë euro mund të paguhej pensioni i një qytetari për rreth 29 vjet.
Bardhi e mbylli reagimin duke akuzuar Ballukun për korrupsion dhe duke deklaruar se ajo do të duhet të japë llogari për këto pretendime.