Vetëvritet ish-kreu i Policisë, Gianni De Gennaro: Hetim për masakrën e Via D’Amelios

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 21.11.2026, 15:43

Ish-kreu i Policisë së Shtetit në Itali, Gianni De Gennaro, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare në banesën e tij në fshatrat e Toskanës. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ai i ka dhënë fund jetës me armë zjarri. Pranë trupit të tij është gjetur edhe arma nga e cila dyshohet se është qëlluar.

Prokuroria e Grossetos ka hapur një dosje hetimore për veprën penale të nxitjes së vetëvrasjes, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, De Gennaro ndodhej i vetëm në banesën e tij në Toskanë. Alarmin e kanë ngritur familjarët, të cilët ishin shqetësuar pasi nuk kishin pasur asnjë kontakt me të që prej mbrëmjes së kaluar. Rreth orës 09:00, punonjësit e banesës kanë njoftuar karabinierët. Ndërsa në orën 09:38, vetë karabinierët kanë telefonuar shërbimin e urgjencës 118 për të raportuar vdekjen e tij.

Vdekja e De Gennaros vjen në një moment kur emri i tij ishte përfshirë në një hetim të ri lidhur me masakrën e Via D'Amelios, ku mbetën të vrarë gjyqtari antimafia Paolo Borsellino dhe pesë pjesëtarë të eskortës së tij. Ish-kreu i Policisë po hetohej për dyshime mbi pengimin dhe devijimin e hetimeve. Më 1 dhjetor, ai pritej të paraqitej përpara Gjykatës së Rishikimit në Caltanissetta. Pas rrëzimit nga gjyqtari i hetimeve paraprake të kërkesës për arrestimin e tij, Prokuroria e Caltanissettas kishte paraqitur ankim.

Banesa e tij ishte kontrolluar nga karabinierët pak ditë më parë

Sipas mediave italiane, edhe banesa në Toskanë, ku u gjet i pajetë De Gennaro, ishte kontrolluar disa ditë më parë nga efektivët e ROS-it të Karabinierëve, në kuadër të hetimeve për masakrën e Via D'Amelios. Kontrolli ishte pjesë e një serie veprimesh hetimore të urdhëruara nga Prokuroria e Caltanissettas. De Gennaro e frekuentonte shpesh këtë banesë së bashku me familjarët e tij.

Hetimet për rrethanat e vdekjes së Gianni De Gennaros vijojnë, ndërsa autoritetet italiane pritet të sqarojnë nëse ka pasur ndonjë përgjegjësi të personave të tjerë në këtë ngjarje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit