Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, u ka bërë të qartë aleatëve të saj në qeveri se nuk është e gatshme ta çojë mandatin deri në fund nëse vijojnë tensionet e brendshme. Meloni ka paralajmëruar drejtuesit e Legës dhe Forza Italia se zgjedhjet mund të mbahen më herët nga afati i parashikuar, madje edhe këtë vjeshtë apo në pranverën e vitit të ardhshëm. Pakënaqësitë e kryeministres lidhen me një sërë përplasjesh të fundit mes partive të koalicionit, duke nisur nga qindra amendamentet e paraqitura nga Lega e Matteo Salvinit për buxhetin, debatet mbi ndihmën ndaj Ukrainës dhe vota kundër e Forza Italia për një dispozitë që ul koston e librave shkollorë digjitalë. Po ashtu, mosmarrëveshje të forta janë shfaqur edhe për skemën e pensioneve ku Meloni refuzoi me ironi kërkesën e Salvinit për 500 milionë euro fonde shtesë, ndërsa aleatët theksojnë se kryeministrja po përvetëson meritat për nisma që tradicionalisht u përkasin partive të tyre.