Një shqiptare nga diaspora është bërë pjesë e protestës së zhvilluar sot në Tiranë, ku në një prononcim për gazetarin e News24, Klevin Muka, u bëri thirrje bashkatdhetarëve që të kthehen në Shqipëri më 28 dhe 29 nëntor për t’iu bashkuar protestave.

Ajo e cilësoi pjesëmarrjen dhe qëndrueshmërinë e qytetarëve në protestë si meritë të madhe të popullit shqiptar, duke theksuar se protestuesit nuk po tërhiqen përballë pranisë së policisë.

“Është meritë e madhe e popullit shqiptar që në këtë evolucion nuk kanë frikë as nga policët. I bëj thirrje diasporës të vijë më 28-29 nëntor, të përfaqësojë popullin shqiptar dhe të ngrejë një Kuvend të madh në mbrojtje të Shqipërisë”, u shpreh ajo. Gjatë prononcimit, shqiptarja ngriti akuza për dhunë nga ana e policisë dhe pretendoi se autoritetet po përpiqen të pengojnë edhe gazetarët ndërkombëtarë që të raportojnë për zhvillimet në vend.

Ajo paralajmëroi gjithashtu për një situatë të vështirë gjatë datave 28 dhe 29 nëntor, duke pretenduar se mund të ketë përpjekje për të bllokuar pjesëtarët e diasporës që do të mbërrijnë në Shqipëri. Për këtë arsye, u bëri thirrje bashkatdhetarëve të organizohen dhe të udhëtojnë së bashku, me autobusë apo mjete të tjera.

“Ky është shteti i diktaturës”, deklaroi ajo, duke shprehur pakënaqësinë ndaj mënyrës se si po menaxhohet protesta dhe reagimit të autoriteteve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: