Vora-Tirana në RTSH, Klafuric: Duam fitoren
Java e 12-të e Abissnet Superiores mbyllet me ndeshjen Vora-Tirana. Një përballje e rëndësishme për të dyja skuadrat, të cilat do të kërkojnë tri pikët për të ruajtur ritmin e skuadrave të kreut. Trajneri i bardhebluve, Dean Klafuriç synon fitoren në këtë ndeshje dhe kërkon më të mirën nga skuadra e tij.
“Çdo ndeshje është shumë e rëndësishme për ne, prandaj ne hyjmë gjithnjë për të fituar. Me Vorën është si gjithë të tjerat. Ne përgatitemi gjithmonë për të dhënë maksimumin ndaj shpresojmë që të fitojmë.
Për fat të keq kemi 3 mungesa të rëndësishme: Krymi, Berisha dhe Stanic. Një ditë më parë, në stërvitje u dëmtua edhe Kolej, që shpresoj të jetë i gatshëm për ndeshjen me Vorën. Ndërsa pushimi për shkak të ndeshjeve të kombëtares ka patur anët pozitive dhe negative. Pozitive ishte që patëm kohë të pushonim, dhe të përgatiteshim më mirë, teknikisht, taktikisht e fizikisht. Pozitiv është edhe fakti që kishim 5 lojtarë të grumbulluar me kombëtaret respektive, e ky fakt është nder për klubin, për lojtarët për të gjithë.
Ana negative ka te bëjë me kohën që lojtarët janë larg klubi, veçanërisht ata afrikanë, të cilët bënë udhëtime të gjata. Por ky është futbolli dhe ata janë profesionistë e shpresoj që të japin më të mirën në ndeshjen me Vorën.
Besoj që kemi vend për përmirësim. Shpresoj që të bëhemi më të mirë nga ndeshja në ndeshje”, ka thënë mes të tjerash Klafuric.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




