Forcat speciale meksikane arrestuan të premten Fausto Isidro Meza Flores, të njohur si “El Chapo Isidro”, pas një shkëmbimi zjarri në qytetin Guasave, në shtetin e Sinaloas. Ai figuronte në listën e dhjetë personave më të kërkuar nga FBI-ja.

Sipas Sekretariatit të Mbrojtjes të Meksikës, gjatë operacionit u ndalua edhe një bashkëpunëtor i tij i afërt. Meza Flores kërkohej në Meksikë për akuza që lidhen me krimin e organizuar, ndërsa Shtetet e Bashkuara po kërkojnë ekstradimin e tij.

FBI-ja e identifikon Meza Floresin si drejtues të një organizate kriminale me bazë në Sinaloa, të njohur edhe si karteli i Guasaves. Autoritetet amerikane e akuzojnë atë për trafikimin e fentanilit, kokainës, heroinës dhe drogave të tjera drejt SHBA-së. Sipas Euronews Albania, ai dyshohet se ishte aktiv në trafikun e drogës që nga vitet 1990.

Arrestimi vjen ndërsa qeveria e presidentes meksikane Claudia Sheinbaum ka intensifikuar operacionet kundër karteleve, mes presionit të administratës së presidentit amerikan Donald Trump për të frenuar trafikun e drogës.