Vetëvritet ish-shefi i policisë italiane, Gianni De Gennaro, ishte nën hetim për masakrën e Via d’Amelio

Europë | 8 minuta më parë

Ish-shefi i policisë italiane, Gianni De Gennaro, 78 vjeç, i ka dhënë fund jetës me një të shtënë me armë zjarri në shtëpinë e tij të pushimit në fshatin e Toskanës, pranë zonës së Magliano-s, në Maremma. Ngjarja e rëndë vjen në një kohë kur ai ishte i përfshirë në hetimet e Prokurorisë së Caltanissetta-s lidhur me dyshimet për mbulimin dhe devijimin e hetimeve për masakrën e Via d’Amelio-s.

Sipas të dhënave paraprake, De Gennaro ndodhej i vetëm në banesë në momentin e ngjarjes. Alarmin e ngritën familjarët e tij, të cilët u shqetësuan pasi nuk kishin pasur asnjë kontakt me të që prej mbrëmjes së kaluar. Pas njoftimit të karabinierëve, shërbimet e emergjencës (118) konstatuan vdekjen e tij rreth orës 09:38 të mëngjesit, ndërsa arma e përdorur u gjet pranë trupit të 78-vjeçarit.

Prokuroria e Grosseto-s ka hapur menjëherë një dosje hetimore me akuzën e “nxitjes për vetëvrasje”. Në vendngjarje kanë mbërritur ekspertët e mjekësisë ligjore dhe specialistët e njësisë shkencore të karabinierëve (RIS), të cilët po kryejnë ekzaminimet e nevojshme. Paralelisht, magjistratët po marrin në pyetje stafin e një hoteli-restorant rreth 300 metra larg banesës – aktualisht i mbyllur – ku De Gennaro darkonte shpesh, si dhe po sekuestrojnë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të rindërtuar lëvizjet e tij të fundit dhe për të verifikuar praninë e mundshme të personave të tjerë.

Vetëm pak ditë më parë, banesa e tij në Toskanë ishte kontrolluar nga karabinierët e njësisë së operacioneve speciale (ROS), me urdhër të Prokurorisë së Caltanissetta-s, në kuadër të hetimeve ku ish-zyrtari i lartë përballej me akuzën e pengimit të rëndë të drejtësisë.

Lajmi ka shkaktuar tronditje të thellë tek avokatët e tij mbrojtës, Francesco Bertorotta dhe profesor Franco Coppi. Duke reaguar pas ngjarjes, avokati Bertorotta u shpreh se është i shokuar dhe i shkatërruar, duke shtuar se këto “mund të jenë pasojat e akuzave shpifëse të hedhura ndaj publikut”. “E njoh Gianni De Gennaro-n prej 15 vitesh. Përpara marrëdhënies sonë profesionale, ishim miq të ngushtë. Tani për tani nuk jam i kthjellët dhe nuk mund të shpreh atë që dua të them”, deklaroi ai.

Nga ana e tij, avokati penalist Franco Coppi u shpreh se ndihet i trishtuar, por jo i habitur nga ky akt ekstrem.

“Duke e njohur atë burrë, duke e njohur Gianni De Gennaro-n, nuk jam i befasuar. Zgjedhja e tij ishte koherente kundër një akuze që vë në pikëpyetje të gjithë karrierën e tij profesionale”, tha Coppi, duke zbuluar se vetëm një ditë më parë kishin kaluar gjithë mëngjesin së bashku për të diskutuar strategjinë e mbrojtjes dhe kishin lënë takim për të vijuar bisedën edhe ditën e sotme.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme