Bashkia e Tiranës ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama në kompetencat dhe vendimmarrjen e institucionit vendor, duke kërkuar ndërprerjen e çdo presioni politik ndaj administratës bashkiake e respektimin e autonomisë vendore.

Në një deklaratë për shtyp, Bashkia e Tiranës thekson se nuk është institucion në varësi personale të Kryeministrit, ndërsa nënvizon se autonomia e saj garantohet nga neni 13 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligji nr. 139/2015 për vetëqeverisjen vendore.

Sipas Bashkisë, emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që duhet të ushtrohen në përputhje me ligjin dhe jo në bazë të preferencave personale apo ndërhyrjeve politike.

Bashkia e Tiranës shton se asnjë qëndrim politik nuk mund të justifikojë cenimin e autonomisë vendore dhe të vullnetit të qytetarëve të kryeqytetit.

“Bashkia Tiranë dënon ndërhyrjet politike të Kryeministrit Edi Rama në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Tiranë, si dhe presionin e ushtruar publikisht ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.

Bashkia Tiranë nuk është institucion në varësi personale të Kryeministrit. Autonomia e saj garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe ligji nr. 139/2015.

Emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që ushtrohen sipas ligjit, jo sipas preferencave personale.

Deklaratat dhe presionet e fundit janë vijim i një qëndrimi që ngre shqetësime serioz se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po shfrytëzohet për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi Bashkinë Tiranë.

Asnjë qëndrim politik nuk mund të justifikojë cenimin e autonomisë vendore dhe të vullnetit të qytetarëve të Tiranës.

Bashkia Tiranë kërkon ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e saj dhe respektimin e plotë të rendit kushtetues.

Bashkia Tiranë u përket qytetarëve të saj, jo preferencave personale të Kryeministrit dhe do i shërbejë deri në fundit zgjedhësve të saj”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës.