Një Tiranë me standardet e një kryeqyteti europian, ku zhvillimi ndihet në jetën e çdo familjeje, është synimi që Ervin Demo shpreh për vitin 2030 në fjalën e tij në Asamblenë e zgjeruar të Partisë Socialiste të Tiranës.
Demo e cilëson Tiranën shtëpi të të gjithë shqiptarëve dhe thekson se njerëzit që kanë ndërtuar jetën në kryeqytet duhet të kenë zërin e tyre në vendimet për të ardhmen e tij.
“Tirana është shtëpia e të gjithë shqiptarëve. Njerëz nga çdo krahinë kanë ndërtuar jetën këtu, kanë rritur fëmijët dhe kanë investuar punën e ëndrrat e tyre në këtë qytet. Secili meriton të ketë zërin e vet në vendimet për të ardhmen e Tiranës”, shprehet ai.
Duke përcaktuar synimin për vitin 2030, Demo e lidh zhvillimin e kryeqytetit me cilësinë e shërbimeve publike dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Synimi ynë për vitin 2030 është një Tiranë me standardet e një kryeqyteti europian, ku zhvillimi ndihet në jetën e çdo familjeje: në shërbimet publike, në lagjen ku banon dhe në mundësitë që kanë fëmijët e saj”, thekson Demo.
Për realizimin e këtij synimi, ai kërkon përfshirje më të gjerë të komuniteteve dhe hapësira për kontributin e qytetarëve. Demo nënvizon angazhimin e përbashkët me Albana Koçiun, Ogerta Manastirlliu, deputetët dhe strukturat e Partisë Socialiste për të qenë çdo ditë pranë njerëzve, për të dëgjuar shqetësimet dhe për të ndjekur zgjidhjen e tyre.
“Për Tiranën e të gjithëve. Për kryeqytetin europian të vitit 2030”, përfundon mesazhi i tij.