Në kuadër të Ditës së Alfabetit, lideri i Lëvizjes Studentore në Maqedoninë e Veriut, Mevlan Ademi, së bashku me kolegë studentë nga të gjitha trevat shqiptare, zhvilloi një bashkëbisedim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Takimi u përqendrua te ruajtja dhe promovimi i gjuhës shqipe, rëndësia e identitetit kombëtar dhe bashkëpunimi mes shqiptarëve për çështjet që i bashkojnë, me vëmendje të veçantë ndaj respektimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë bashkëbisedimit, Presidenti Begaj vlerësoi angazhimin e të rinjve dhe nismën “Fol Shqip”, duke theksuar se mbrojtja e gjuhës shqipe duhet të jetë një përgjegjësi e përditshme, që nis nga familja dhe shkolla e shtrihet në institucionet dhe jetën publike.
Një vëmendje të veçantë mori edhe çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Presidenti Begaj nënvizoi se të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligj duhet të zbatohen edhe në praktikë.
Duke marrë si shembull Kongresin e Manastirit të vitit 1908 dhe kontributin e arbëreshëve në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar ndër shekuj, Begaj u bëri thirrje të rinjve të vijojnë të jenë aktivë në mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe.










