Paolo Bulgari, një prej figurave më të rëndësishme të shtëpisë së famshme italiane të bizhuterive Bulgari, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Lajmi është bërë i ditur nga familja e tij, e cila e ka kujtuar si një sipërmarrës me humanizëm të thellë, që kontribuoi në përhapjen e emrit të markës në mbarë botën.
Familja e ka cilësuar atë si “argjendarin më të madh të të gjitha kohërave”, duke vlerësuar kontributin e tij në historinë e shtëpisë së bizhuterive me origjinë romake. Ceremonia mortore do të mbahet të hënën, më 23 nëntor, në orën 11:00, në Bazilikën e Santa Croce in Gerusalemme, në Romë.
I lindur në Romë në vitin 1937, Paolo Bulgari ishte djali i Giorgio Bulgari dhe nipi i Sotirio Bulgari, argjendarit me origjinë greke që themeloi shtëpinë e famshme në vitin 1884. Së bashku me vëllezërit e tij, Gianni dhe Nicola, ai drejtoi biznesin familjar dhe kontribuoi në shndërrimin e tij në një prej emrave më të njohur të luksit italian, të vlerësuar nga yjet e kinemasë dhe familjet mbretërore.
Nën drejtimin e tij krijues, marka u dallua për përdorimin e guximshëm të ngjyrave, gurët e çmuar dhe stilin e frymëzuar nga antikiteti dhe arkitektura e Romës. Në vitin 2011, grupi u ble nga gjiganti francez i luksit LVMH, megjithatë emri i familjes Bulgari mbeti i lidhur ngushtë me identitetin e markës.
Hyrja e tij në drejtimin e kompanisë familjare u konsolidua gjatë viteve 1980, kur drejtimi i biznesit kaloi te ai dhe vëllezërit e tij. Ishte një periudhë transformimi për markën, e cila nisi të zgjeronte aktivitetin përtej bizhuterive, duke u shtrirë edhe në aksesorë dhe parfumeri. Një tjetër sfidë ishte forcimi i pranisë ndërkombëtare, pas hapjes së dyqaneve në Nju Jork, Paris, Gjenevë dhe Monte Carlo gjatë dekadës pararendëse.
Njohës i thellë i gurëve të çmuar dhe projektues i talentuar i bizhuterive, Paolo Bulgari i dha markës një identitet të veçantë, duke ndërthurur traditën me elementet moderne. Ngjyrat intensive, gurët e prerë në formë kaboshon dhe format e frymëzuara nga arkitektura romake u kthyen në tipare dalluese të krijimeve të saj, të cilat tërhoqën vëmendjen e elitës ndërkombëtare.
Dyqani i famshëm në rrugën Via Condotti në Romë mirëpriti ndër vite emra të njohur të kinematografisë botërore, mes tyre Lauren Bacall, Sophia Loren dhe Angelina Jolie. Një lidhje të veçantë marka krijoi me aktoren Elizabeth Taylor. Paolo Bulgari kishte rrëfyer shpesh për takimet e saj me Richard Burton, të cilët, pas debateve të tyre të zjarrta, pajtoheshin sapo hynin në dyqanin e bizhuterive.
Një tjetër episod që ai tregonte ishte takimi me aktoren italiane Anna Magnani. Në atë kohë, Paolo ishte vetëm 22 vjeç dhe ende pa shumë përvojë në biznes, kur aktorja u ankua për mënyrën se si ishte shërbyer prej tij në butik.
Një nga vendimet më të vështira për të ishte shitja e kompanisë në vitin 2011 te grupi francez LVMH, në pronësi të Bernard Arnault. Transaksioni u realizua për një vlerë prej 5.2 miliardë dollarësh dhe shënoi largimin përfundimtar të familjes nga drejtimi i kompanisë. Megjithatë, Paolo Bulgari vijoi të projektonte bizhuteri dhe varëse për kënaqësinë e tij personale, duke ruajtur pasionin që e kishte shoqëruar gjatë gjithë jetës.
Përtej aktivitetit në industrinë e luksit, ai u angazhua edhe në projekte sociale. Së bashku me bashkëshorten, krijoi një fondacion që mbante emrin e tij, me synimin për të mbështetur të rinjtë në zonat periferike të Romës, për të luftuar pabarazinë në arsim dhe për të financuar formimin profesional.
Një prej projekteve të rëndësishme të fondacionit ishte rikualifikimi i sheshit Largo Mengaroni, në lagjen Tor Bella Monaca të Romës, i përfunduar në dhjetor 2023 në bashkëpunim me shkollat, shoqatat lokale dhe administratën bashkiake.






