Lajmi i fundit

Rama jepe dorëheqjen! Protesta vijon para kryeministrisë

VIDEO/ Kalaja: Rama nuk e shuajti dot revoltën studentore, tani po persekuton edhe familjarët e protestuesve

17:24, 21/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

‘Edi Rama nuk arriti ta shuante revoltën studentore me reprezalje dhe masa sigurie, ndaj ka zgjeruar sferën e persekutimit edhe te familjarët e protestuesve. Rrëzimi i Ramës fillon nga protesta në SPAK, sepse vetëm presioni ndaj këtij institucioni mund t'i hapë rrugë ndryshimit, një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme.’

Kështu u shpreh avokatja Adriana Kalaja, e ftuar në emisionin ‘Edicioni i Pasdites’ në SYRI TV, me moderatoren Sibora Bitri.

Kalaja akuzoi qeverinë për përdorimin e masave ndëshkuese ndaj protestuesve dhe familjarëve të tyre, duke u ndalur te rasti i një të mituri nga Kombinati, i cili sipas saj është gjobitur me 5 milionë lekë.

Ajo kritikoi gjithashtu aktet normative që lidhen me protestat, duke i cilësuar antikushtetuese, ndërsa akuzoi SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë për mungesë veprimi ndaj përgjegjësve politikë.

‘Po askush nuk jep dhurata pa pasur diçka përfitim nga pas. Dhe kjo mbetet për t'u hetuar nga ana e SPAK-ut.

Ndërkohë, Edi Rama e pa që edhe në këtë formë, edhe me reprezalje, edhe në rastet kur ne kemi pasur gati 80 masa sigurimi në ditë, ai nuk arriti dot të shuante revoltën studentore. Dhe filloi pastaj ta shtrinte sferën e persekutimit, duke mos u marrë më tashmë vetëm me personin që mund të ketë dyshime se ka kryer një vepër penale, por duke përfshirë edhe personin që është ngjitur me të, edhe familjarë të tij.

Siç ishte rasti i një 15-vjeçari, që unë e nxora ditë para dy ditësh, të mërkurën, pesë ditë më parë, i cili ndodhej në arrest që nga data 7. Ka kaluar edhe afatin e parashikuar nga ligji dhe ky djalë, ky i mitur 17-vjeçar, me probleme të rënda shëndetësore, me të dy prindërit me probleme të rënda shëndetësore dhe me një varfëri ekstreme në familje, në Kombinat, ishte gjobitur edhe me vlerën 5 milionë lekë, sepse pretendohej se i kishte shkaktuar një dëm shtetit.

Ndërkohë që Kodi i Procedurës Civile e përcakton qartë se si llogaritet dëmi. Në fillim, njëherë duhet të dalë vendimi i fajësisë dhe, pasi del vendimi i fajësisë, pra, nëse është Adriana Kalaja me faj për këtë ngjarje dhe në varësi të fajit që unë kam marrë në procesin penal, fillon një proces civil që quhet shpërblimi i dëmit. Vetëm pasi të llogariten dëmet takuese për secilin, atëherë ne mund të lëshojmë edhe gjobë.

Po, paguaje gjobën, paguaje gjobën! Ndërkohë, këta do t'ua paguajnë të gjitha dëmet bizneseve private dhe thonë: Me kismet do të hapim gjyqe ne që t'ia marrim personave që do të dalin fajtorë.

Pra, është ajo që unë sapo thashë: ligji përcakton një radhë tjetër dhe këta, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, e kanë kthyer radhën përmbys. Pra, unë sot do t'ia jap bizneseve dhe pas 10 vitesh unë do t'ia marr qytetarit.

Dhe, tek e fundit, është e gjitha që do të vazhdojë të paguhet nga xhepat tanë, do të vazhdojë të përballohet nga një taksë e madhe nga xhepat tanë. Ndërkohë, prandaj thashë, të tre aktet normative, në fakt, kanë nxjerrë udhëzime të reja, kanë nxjerrë ndryshime të reja në kuptimin rëndues të të drejtave të njeriut.

Duke filluar që nga regjistri elektronik, ku do të regjistrohet personi që është ndaluar qoftë edhe njëherë për protestë, nuk do të lejohet të ikë jashtë shtetit, ndërkohë që duhet një vendim gjykate që të ndalohet udhëtimi jashtë shtetit. Pra, janë të gjithë këta elementë antikushtetues.

Patjetër, ia ka arritur. Ia ka arritur, sepse patjetër që ke familje që e kanë shumë të vështirë të paguajnë qoftë edhe një gjobë 50 mijë lekë të vjetra.

Patjetër. Pra, çdo gjobë që nuk ekzekutohet është fakt i kryer. Ai e nxjerr gjobën si titull ekzekutiv dhe qytetari është i detyruar ta paguajë.

Por ndërkohë, edhe ne si subjekt politik e kemi të pamundur që, ju e patë dhe vetë dje debatin në komision, ta pranojmë në kuptimin e Kuvendit të Shqipërisë, pra, të forcës së kartonave. Por e vetmja mënyrë që ne kemi ndjekur deri dje dhe do ta vazhdojmë ta çojmë deri në fund, është të bëjmë detyrën tonë.

Përveçse i kemi asistuar falas në të gjitha proceset penale, qoftë në komisariat, qoftë në shkallë të parë, qoftë në apel, unë vetëm sot kisha 11 masa, ku për të 11 masat, në fakt, u shpall arresti i paligjshëm dhe për të cilat do të referohet kallëzim penal. Të gjitha këto janë falas nga ana jonë, nga unë dhe i gjithë grupi i juristëve brenda Partisë Demokratike.

Por, nga ana tjetër, Partia Demokratike të tre këto akte normative, të cilat janë dukshëm antiligjore dhe antikushtetuese, sepse prekin drejtpërdrejt liritë personale dhe të drejtat e njeriut, i kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Se sa parimore, sa profesionale dhe me sa integritet do të tregohet Gjykata Kushtetuese, të presim ta shohim. Por deri tani Gjykata Kushtetuese na ka lënë një shije shumë të hidhur, sepse ky është problemi me reformën në drejtësi, e dashur, për ta mbyllur: në të gjitha institucionet e drejtësisë janë vendosur ata të Mjaftit, ata të Freskut, ata të Rilindjes, të cilët, përveçse mbajnë njëri-tjetrin, nuk japin drejtësi atëherë kur duhet.

Dhe për këtë, shembulli më i pastër është shembulli i SPAK-ut, i cili tashmë nuk besoj se ka qytetar shqiptar që nuk e kupton se Edi Rama do të qëndrojë për sa kohë të ekzistojë SPAK-u.

Ndaj unë vetëm një thirrje kam: nëse ata protestues, ata të rinj dhe të reja e kanë seriozisht rrëzimin e Edi Ramës, rrëzimi i Edi Ramës fillon nga protesta në SPAK. Vetëm presionin në SPAK, arrestimin, ta kërkojnë nga SPAK-u për Edi Ramën. Vetëm aty ka shumë mundësi që të fillojë ndryshimi, për t'i hapur rrugë një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Nëse ata do të vazhdojnë me xhiron në bulevard, me dyfishin, trefishin e forcave të policisë që i rrethojnë, asgjë nuk do të ndodhë, sepse Klodian Braho, me lidhjet me aferat korruptive kriminale që ka me të vëllanë e tij, Ervin Demo, por edhe me interesat e drejtpërdrejta që ka me Edi Ramën, nuk ka për ta marrë kurrë hapin dhe do të amnistohen të gjithë, nga i pari deri tek i fundit, përveç atyre që nuk urdhëron Edi Rama.’, tha Adriana Kalaja në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco