Lajmi i fundit

Rama jepe dorëheqjen! Protesta vijon para kryeministrisë

Deputetja e PD publikon pamjet: Rruga drejt Burrelit në gjendje apokaliptike, ARRSH shpall  vetëm fituesin për projektimin

Deputetja e PD publikon pamjet: Rruga drejt Burrelit në gjendje apokaliptike, ARRSH shpall vetëm fituesin për projektimin

17:39, 21/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputetja e Partisë Demokratike për qarkun Dibër, Denisa Vata, ka publikuar pamje nga terreni, ku denoncon gjendjen e rëndë të rrugës në Zenisht. Pamjet tregojnë një aks pothuajse të pakalueshëm, i cili shërben si lidhje për banorët e Macukullit, Derjanit, Rukajt dhe Lisit me qytetin e Burrelit dhe Rrugën e Arbrit.

Ndërsa banorët përballen çdo ditë me vështirësitë e qarkullimit, rehabilitimi i aksit Rrëshen–Burrel mbetet ende në fazën e projektimit. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur fitues bashkimin e operatorëve Seed Consulting, S&L Studio dhe GeoENG, me një ofertë prej 8.288.000 lekësh pa TVSH.

Nga dy ofertat e paraqitura në procedurë, vetëm njëra është kualifikuar. Deri më tani është shpallur fituesi për hartimin e projektit, ndërsa nuk ka një datë të përcaktuar për nisjen e punimeve në terren. Afati gjashtëmujor i parashikuar në procedurë lidhet me hartimin e projektit dhe jo me përfundimin e rehabilitimit të rrugës.

Një tjetër element që ngre pikëpyetje është emri i kompanisë Seed Consulting. E njëjta studio që është pjesë e bashkimit fitues për projektimin e aksit Rrëshen–Burrel ka qenë pjesë e konsorciumit që projektoi Tunelin e Llogarasë dhe dy urat e parashikuara në kuadër të kësaj vepre.

Ky fakt rikthen në vëmendje problematikat e bëra publike rreth projekteve infrastrukturore dhe zbatimit të tyre, duke ngritur pikëpyetjen nëse edhe për Zenishtin do të kemi një projekt në letër, pa një afat konkret për ndërhyrjen në terren.

Për banorët e katër njësive administrative, çështja është urgjente. Ata kërkojnë nga ARRSH përgjigje konkrete: Kur do të sigurohet financimi për rehabilitimin e rrugës? Kur do të hapet tenderi për punimet? Dhe çfarë masash do të merren ndërkohë për të përmirësuar gjendjen e segmentit që banorët detyrohen të përshkojnë çdo ditë?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco