Në Gjermani, qeveria bëri një hap tjetër për ta zhdërvjelltësuar tregun e punës. Kontratat e punës do të jepen më lehtë. Dhe më tej, disa profesione mund të punojnë më gjatë, edhe të dielave. Një lajm tjetër është se shumë nga ata që emigrojnë nga Gjermania, kthehen.
Auron Dodi, nga DW, përcjell për News24 detajet e këtij ndryshimi në ligjin e punës, që u miratuan nga kabineti Merz këtë javë.
Çfarë ndryshon për ata që punojnë në Gjermani?
Auron Dodi: Me pak fjalë: kontratat e punës me afat të caktuar do të jepen më lehtë. Deri tani një firmë mund të punësonte dikë duke ia kufizuar afatin e kontratës, pa i dhënë arsye dhe jo pafundësisht me këtë lloj kontrate. Lejohej t’i ofronte personit një kontratë të kufizuar dy vjeçare, që t’ia zgjaste tre herë radhazi. Tani firma mund të ofrojë që në krye kontratë katërvjeçare, dhe ta zgjasë gjashtë herë.
Do të lejohet edhe diçka që deri sot ishte e ndaluar: kush ka punuar më parë në një firmë, do të lejohet të rikthehet aty, sërish me kontratë me afat të caktuar. Personi nuk duhet të marrë tani patjetër kontratë të përhershme, jo atraktive për të gjithë punëdhënësit.
Gjithashtu: do të zbuten rregullat për punën e atyre që punojnë të dielave dhe festave zyrtare; që punojnë p.sh. në ëmbëltore, në furrat e bukës e në biblioteka.
Më tej, ligji lehtëson ndërprerjen e punësimit për personat me të ardhura të larta – që fitojnë rreth 180.000 euro në vit.
Projektligji tani po kalon në Bundestag, në fuqi pritet të hyjë në fillim të vitit 2027. Vlen, fillimisht, deri në fund të vitit 2030.
Kush përfiton nga ndryshimet e ligjit?
Së pari përfitojnë ata që sapo kanë hyrë në tregun e punës. Atyre gjithsesi u japin thuajse gjithmonë kontrata me afat të kufizuar, jo të përhershme. Tani do të jetë më e lehtë t’i punësosh.
Ministri socialdemokrat i Punës, Alexander Schweitzer, e shpjegoi synimin e ligjit pikërisht kështu: që të ruhen vendet e punës dhe të lehtësohen punësimet e reja.
Praktikisht, në ëmbëltoret, në furrat e bukës, dhe në biblioteka, turnet e së dielës do të zgjaten. Furrat e bukës e ëmbëltoret do të lejohen ta mbajnë në punë personelin e tyre tetë orë, jo më vetëm tre; kurse bibliotekat deri në gjashtë orë. Kjo kompensohet me një ditë pushimi gjatë javës si dhe me shtesë page (kur e përmban kontrata kolektive ose ajo me ndërmarrjen).
Punonjësit do të përfitojnë edhe ndryshe: ligji forcon bashkëvendosjen, pra përfaqësimin e punonjësve në menaxhimin mbikqyrës, sidomos për kompanitë e mëdha. Kompanitë e mëdha e kishin shmangur këtë deri tani, duke përdorur një formë specifike juridike evropiane të organizimit (SE)– gjë që ka prekur 480.000 punonjës.
Në reagimet e para: ekonomistë i vlerësojnë këto ndryshime të ligjit si hap në drejtimin e duhur. Më shumë dinamikë ata presin sidomos nga lejimi për të punësuar dikë sërish me afat të kufizuar – edhe kur ka pasur njëherë një kontratë të kufizuar, në atë firmë.
Pse e ndërmerr qeveria këtë hap pikërisht tani?
Sepse shumë kompani hezitojnë të punësojnë me kontrata – ato kanë punë, por nuk duan të lidhen për vite me radhë me kontrata të përhershme.
Do të përfitojnë natyrisht edhe personat në profesion të lirë, të vetëpunësuarit: ata janë më të goditurit nga sfidat ekonomike, sipas Institutit Ifo në Mynih. Plot 19.5 për qind e tyre, e quajnë situatën aktuale, kërcënuese për ekzistencën. Kurse ata që kanë kontrata pune, e shohin të ardhmen më me optimizëm.
Siç e shprehu Shoqata Federale e Profesioneve të Lira: “Gjermania është vend i të punësuarve (te një punëdhënës), politika mendon me kontrata klasike pune – të vetëpunësuarit lihen mënjanë”.
Dhe janë pikërisht të vetëpunësuarit në profesione të caktuara, që mendojnë më shpesh të largohen nga Gjermania.
Po, sipas statistikave, më shumë se një çerek milioni gjermanë janë larguar nga Gjermania kohët e fundit. Kush janë këta njerëz?
Në vitin 2025 ishin saktësisht mbi 288.000 vetë që emigruan – më shumë se kurrë më parë, bëri të ditur Zyra Federale e Statistikave.
Ata që emigrojnë – ose e kanë në plan migrimin – synojnë sidomos avantazhe tatimore në vende të tjera, dhe një jetë më të mirë. Ose kane arsye politike e shoqërore, apo duan më pak burokraci.
Se kush synon të emigrojë – për këtë na orientojnë vetëm anketat. Sipas portalit Freelancermap, mundësinë e migrimit po e konsiderojnë 49 për qind e profesionistëve të lirë, ndërsa konkretisht, e kanë planifikuar 14 për qind e tyre.
Por duhet thënë se shteti gjerman jo vetëm i mbështet për planet e tyre. Ngre nganjëherë edhe pengesa: në vitet 2022 dhe 2025 shteti e ngriti tatimin e largimit nga Gjermania. Kush zotëron pjesë të mëdha në firma ose në fonde, kur largohet paguan tatim, sikur t’i kishte shitur ato.
A u ndihmon vërtet ky fleksibilitet i ri këtyre njerëzve që të mbeten në Gjermani?
Një pjese të tyre pa dyshim. Ndihmon ata që nuk e kanë zgjedhur vetëpunësimin nga dëshira, por sepse nuk kanë gjetur një vend pune të përshtatshëm, si dhe ata që për momentin kanë pak porosi pune. Për ta, një vend pune i vërtetë, mund të jetë alternativa ndaj largimit.
Për një grup tjetër, reforma bën më pak: për informatikanët, për konsulentët, e për dizajnerët. Shoqata Federale e Profesioneve të Lira thotë se duan të largohen „sidomos të vetëpunësuarit që punojnë me laptop“. Për ta, vendi ku jetojnë shpesh është thjesht çështje llogarie: shkojnë aty ku tatimet, burokracia dhe siguria juridike janë në rregull për ta.
Në fund: ata që ikin nga Gjermania qëndrojnë jashtë apo edhe kthehen?
Kthehen më shumë nga ç’mund të mendohet: Po vitin 2025, për të cilin folëm, u kthyen afërsisht 192.000 gjermanë nga 288.000 vetë që ikën.
Dhe nuk vijnë vetëm njerëz, por vjen edhe kapital, kapital i huaj. Për shumë të huaj Gjermania mbetet me sa duket më atraktive se për një pjesë të gjermanëve. Gazeta ekonomike Handelsblatt njoftonte se brenda një viti tri banka franceze, Bred, Crédit Agricole dhe Crédit Mutuel, blenë banka gjermane ose pjesë të tyre. Të huajt Gjermania i tërheq ekonomia më e madhe e eurozonës dhe me kostot më të ulëta të rrezikut. Po ashtu i joshin kursimet e gjermanëve dhe investimet e shtetit: në infrastrukturë e mbrojtje. Gjermania, në tërësi, mbetet tërheqëse për të huajt: detyra në Gjermani tani është të fitohet besimi i të gjithë vendasve.
