Dy shtetas çekë, Sus Václav dhe Tuskova Iva, janë arrestuar në provincën Pichincha të Ekuadorit gjatë operacionit ushtarak ‘Medusa’. Inteligjenca ushtarake dyshon për lidhje të tyre me bandën kriminale Los Lobos dhe mafian shqiptare, si dhe për përfshirje në trafik droge, zhvatje dhe grabitje. Gjatë operacionit u sekuestruan një pistoletë, 63 qese me substanca të dyshuara narkotike, katër telefona, një laptop dhe një peshore dixhitale.
Dy çekë, të identifikuar si Sus Václav dhe Tuskova Iva, janë arrestuar nga autoritetet ushtarake në provincën Pichincha të Ekuadorit, nën dyshimet për lidhje me bandën kriminale Los Lobos dhe mafian shqiptare.
Arrestimi u krye gjatë operacionit ushtarak të koduar ‘Medusa’, në zonën e rrugës Puerto Quito, në territorin e bashkisë Pedro Vicente Maldonado. Sipas raportit të Ushtrisë së Ekuadorit, dy personat dyshohet se janë të lidhur me një strukturë të Los Lobos, e cila lidhet me një personazh të njohur me pseudonimin Colón Pico.
Sipas inteligjencës ushtarake, kjo strukturë dyshohet se është e përfshirë në tregtimin e lëndëve narkotike, zhvatje dhe grabitje në zonën e Puerto Quito. Në raport përmenden gjithashtu lidhje të dyshuara me mafian shqiptare, si dhe precedentë të mëparshëm për armëmbajtje dhe trafik droge.
Gjatë ndërhyrjes, efektivët sekuestruan një pistoletë Beretta me karikator dhe tre fishekë të kalibrit 9 mm.

Në inventarin e provave përfshihen gjithashtu 63 qese me substanca të dyshuara narkotike. Pesë prej tyre përmbanin rreth 30 gramë secila me një substancë të bardhë, ndërsa 58 të tjera rreth 10 gramë secila me një substancë në ngjyrë kafe. Substancat do t'i nënshtrohen verifikimit për të përcaktuar përbërjen e tyre.
Autoritetet sekuestruan edhe katër telefona celularë të markave iPhone, Samsung, Vivo dhe Redmi, një kompjuter portativ Lenovo dhe një peshore dixhitale Silvercrest.
Të gjitha provat materiale iu dorëzuan Policisë Gjyqësore, duke respektuar procedurat e zinxhirit të ruajtjes së provave.
Operacioni ‘Medusa’ është pjesë e ndërhyrjeve të fundit të forcave ushtarake ekuadoriane kundër strukturave të dyshuara kriminale në provincën Pichincha. Një ditë më parë, më 19 nëntor, ushtria zhvilloi një tjetër operacion në lagjen Loma de Puengasí të kryeqytetit Quito, ku raportoi arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e lëndëve të dyshuara narkotike dhe 48 fishekëve.
Deri në publikimin e raportimit të medias ekuadoriane ‘Extra’, nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi rolin konkret të dy shtetasve çekë apo natyrën e lidhjeve të dyshuara me mafian shqiptare.
© SYRI.net