Bashkia e Tiranës ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste të Tiranës, duke e akuzuar atë për ndërhyrje politike në kompetencat dhe vendimmarrjen e institucionit, si dhe për presion ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.
Në një deklaratë zyrtare, Bashkia thekson se nuk është institucion në varësi të kryeministrit dhe se autonomia vendore garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe ligji nr. 139/2015.
Reagimi vjen në një kohë kur kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është nën masën e sigurimit personal. Sipas deklaratës, kjo masë po shfrytëzohet për të dobësuar autoritetin institucional të kryetarit dhe për të imponuar kontroll politik mbi bashkinë.
Institucioni kërkon ndërprerjen e ndërhyrjeve politike në vendimmarrjen e tij dhe respektimin e autonomisë vendore.
Reagimi i plotë:
“Bashkia Tiranë dënon ndërhyrjet politike të Kryeministrit Edi Rama në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Tiranë, si dhe presionin e ushtruar publikisht ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.
Bashkia Tiranë nuk është institucion në varësi personale të Kryeministrit. Autonomia e saj garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe ligji nr. 139/2015.
Emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që ushtrohen sipas ligjit, jo sipas preferencave personale.
Deklaratat dhe presionet e fundit janë vijim i një qëndrimi që ngre shqetësime serioz se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po shfrytëzohet për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi Bashkinë Tiranë.
Asnjë qëndrim politik nuk mund të justifikojë cenimin e autonomisë vendore dhe të vullnetit të qytetarëve të Tiranës.
Bashkia Tiranë kërkon ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e saj dhe respektimin e plotë të rendit kushtetues.
Bashkia Tiranë u përket qytetarëve të saj, jo preferencave personale të Kryeministrit dhe do i shërbejë deri në fundit zgjedhësve të saj”, thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.m.k



