Gazetari: Maturanti nga Gjirokastra nuk mund të flasë në emër të studentëve që protestojnë

Gazetari: Maturanti nga Gjirokastra nuk mund të flasë në emër të studentëve që protestojnë

18:54, 21/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetari Telnis Skuqi ka reaguar ndaj përfshirjes së Daniel Kore, maturant nga Gjirokastra dhe Kryetar i Parlamentit të Nxënësve, në takimin e studentëve të pretenduar, që moren pjesë në takimin e së premtes mbrëma me Edi Ramën.

Në një reagim në rrjetet sociale, Skuqi thekson se Kore nuk është student universitar, por maturant, dhe se mandati i tij si përfaqësues i nxënësve nuk i jep të drejtën të paraqitet si zë i studentëve që protestojnë, në takimin me Ramën.

Gazetari e konsideron këtë një çështje parimore të përfaqësimit dhe akuzon kryeministrin Edi Rama se shfrytëzon çdo mundësi për propagandë politike. Sipas tij, megjithatë, askush nuk i detyron të rinjtë të rreshtohen vetë në shërbim të kësaj propagande.

Gazetari thekson se Shqipërisë i duhen të rinj që përballen me pushtetin dhe jo që bëhen vegla të tij.

Reagimi i gazetarit Telnis Skuqi

PSE REAGOVA?

Danieli Kore është maturant nga Gjirokastra, jo student universitar. Si Kryetar i Parlamentit të Nxënësve prej tetë muajsh, ai nuk mund ta paraqesë këtë mandat si zë të studentëve që protestojnë.

Të mos bëjmë sikur nuk e kuptojmë çfarë ndodhi. Edi Rama bën politikën e tij dhe shfrytëzon çdo mundësi për propagandë, por askush nuk i detyron këta të rinj të rreshtohen vetë në shërbim të saj.

Danieli është djali i një kolegu tim. Nuk kam asgjë personale me të dhe pikërisht për këtë po flas për parimin, jo për personin. Një mandat përfaqësimi nuk është lodër personale, as dekor për skenat politike të pushtetit.

Dy nga tre fëmijët e mi janë gjimnazistë. Nuk dua t'i shoh të rriten me idenë se për të ecur përpara duhet t'i bëjnë fresk pushtetit, të buzëqeshin para kamerave dhe të shërbejnë si fasadë për propagandën e tij.

Një brez që vetëofrohet për t'u përdorur nga pushteti nuk është brezi që na duhet. Na duhen të rinj që përballen me pushtetin, jo që i bëhen vegël atij.

Dinjiteti i përfaqësimit nuk të falet; duhet ta mbrosh.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco