Protesta e qytetarëve dhe studentëve kundër qeverisë vijon në Tiranë, ndërsa protestuesit janë zhvendosur në Sheshin “Skënderbej”.

Gjatë tubimit, avokati Lulzim Tanushi ka prezantuar disa prej kërkesave të një grupi aktivistësh të rinj, të cilat lidhen me ndryshimin e sistemit politik përmes rishikimit të Kushtetutës.

Tanushi deklaroi se nisma synon kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy, si dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke rikthyer proporcionalin kombëtar me lista të hapura.

“Ne, një grup aktivistësh të rinj, kemi kërkuar ndryshimin e sistemit, që bëhet përmes ndryshimit të Kushtetutës. Duhet të kërkojmë rishikimin e Kushtetutës për të ndryshuar sistemin. Kërkuam rishikimin e Kushtetutës në disa drejtime: që mandati i kryeministrit të mos jetë më shumë se tetë vite.

Sistemi zgjedhor u deformua më 2008 dhe ne kërkojmë që sistemi zgjedhor të kthehet në proporcional kombëtar dhe me lista të hapura, që vullneti i popullit të reflektohet në parlament, të kemi njerëz të vërtetë.

Aktualisht kemi vetëm njerëz që ngrenë kartonin dhe veprojnë sipas urdhrave të kryetarit të partisë. Nisma synon që të rikthejë shtetin e së drejtës, demokracinë përfaqësuese reale”, deklaroi avokati Lulzim Tanushi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: