Bota

Rikthehet në tryezë çështja e garancive të sigurisë, Zelensky: Ukraina dëshiron me çdo kusht anëtarësimin në NATO

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka përsëritur dëshirën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, duke e cilësuar këtë hap si një nga garancitë më të qarta të sigurisë për vendin.

Deklarata vjen në një moment kur anëtarësimi i Kievit në Aleancë dhe mundësia e ofrimit të garancive të ngjashme me Nenin 5 janë rikthyer në qendër të diskutimeve mes aleatëve perëndimorë, në kuadër të bisedimeve për përfundimin e luftës me Rusinë.

“Sigurisht, Ukraina dëshiron me zjarr të bashkohet me NATO-n”, deklaroi Zelensky në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut për sigurinë e vendit.

Çështja e anëtarësimit të Ukrainës, e cila sipas raportimit është bllokuar nga Uashingtoni që prej vitit 2025, është rikthyer në diskutimet diplomatike gjatë ditëve të fundit.

Gjatë një takimi të zhvilluar të enjten në Berlin me aleatët e Kievit, i dërguari amerikan Jared Kushner deklaroi se Shtetet e Bashkuara mund të jenë të gatshme t’i ofrojnë Ukrainës garanci sigurie të krahasueshme me ato të parashikuara në Nenin 5 të Traktatit të NATO-s.

Ky nen përbën një nga shtyllat kryesore të Aleancës dhe përcakton se një sulm i armatosur ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve, duke aktivizuar parimin e mbrojtjes kolektive.

Edhe presidenti francez Emmanuel Macron, i pranishëm në takimin e Berlinit, ka mbështetur rifillimin e diskutimeve për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.