E shtunë, 21 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Nga SPAK e deri te SHISH, ja sa para do marrin institucionet nga “torta” e miliardave
Lajme

Nga SPAK e deri te SHISH, ja sa para do marrin institucionet nga “torta” e miliardave

Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon miliarda lekë për institucionet e sigurisë, drejtësisë dhe administratës publike. Nga SPAK-u dhe Shërbimi Informativ i Shtetit, te Policia, Garda e Republikës dhe gjykatat, fondet janë ndarë sipas nevojave të paraqitura nga institucionet, ndërsa kërkesat për financime shtesë kanë marrë përgjigje të ndryshme gjatë shqyrtimit parlamentar.

Pas miratimit në parim në Kuvend me 80 vota pro, projektbuxheti ka kaluar në shqyrtimin nen për nen në komisionet parlamentare. Gjatë kësaj faze, institucionet kanë kërkuar më shumë para për paga, punonjës të rinj, shpenzime operative dhe investime. Disa prej këtyre kërkesave janë mbështetur, të tjera janë rrëzuar ose janë lënë për t’u shqyrtuar gjatë vitit të ardhshëm.

Sipas raportit të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, fondet e parashikuara për institucionet e pavarura që raportojnë drejtpërdrejt në Kuvend arrijnë në 19,45 miliardë lekë. Kjo shumë është 426,2 milionë lekë më e lartë se buxheti i ndryshuar i vitit 2026.

Komisioni ka propozuar gjithashtu 755,42 milionë lekë financime shtesë: 114,92 milionë për personelin, 273 milionë për shpenzimet operative dhe 367,5 milionë lekë për investime kapitale. Në disa raste është propozuar edhe zgjerimi i organikave.

SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme

Për Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është parashikuar një buxhet prej rreth 2,32 miliardë lekësh, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2026. Nga kjo shumë, 1,42 miliardë lekë janë për paga, 165,5 milionë për sigurime shoqërore, 366,1 milionë për mallra dhe shërbime dhe 369 milionë lekë për investime.

SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit do të kenë në dispozicion një organikë prej 364 punonjësish, 25 më shumë se në vitin 2026. Gjatë dëgjesave në komisione, përfaqësuesit e institucionit deklaruan se nuk kishin kërkesa për financime shtesë përtej shumës së parashikuar në projektbuxhet.

Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme do të financohet me 3,49 miliardë lekë, ose 97,12 milionë lekë më shumë se një vit më parë. Pjesa më e madhe, rreth 2,95 miliardë lekë, do të shkojë për paga dhe sigurime shoqërore.

Prokuroria kërkoi vetëm dy punonjës shtesë të teknologjisë së informacionit për ngritjen e Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Çështjeve. Kjo kërkesë u mbështet nga komisionet parlamentare.

SHISH dhe Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes

Shërbimi Informativ i Shtetit ka një buxhet të parashikuar prej 3,08 miliardë lekësh, me një rritje prej 2,8% krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2026. Në tabelën e kërkesave shtesë, SHISH ka paraqitur nevojën për 260,019 milionë lekë të tjera, kryesisht për funksionimin dhe investimet e planifikuara. Nëse kjo kërkesë do të plotësohej, financimi i institucionit do të arrinte në rreth 3,34 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes ka një buxhet prej 614 milionë lekësh, nga 522,8 milionë që kishte në vitin 2026. Rritja është 91,2 milionë lekë, ose 17,4%.

Agjencia ka paraqitur nevoja të konsiderueshme për financimin e pagave, shpenzimeve korrente dhe investimeve teknologjike. Këto të fundit lidhen kryesisht me sistemet e inteligjencës, digjitalizimin, komunikimet e sigurta dhe infrastrukturën teknologjike.

Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar rishpërndarjen e 1,2 miliardë lekëve brenda buxhetit të saj, pa ndryshuar shumën totale. Nga kjo shumë, 800 milionë lekë do të kalonin te programi “Mbështetja e Luftimit”, ku përfshihet edhe Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Megjithatë, kjo shumë nuk është një fond i dedikuar tërësisht për Agjencinë.

Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës

Ministria e Punëve të Brendshme ka një buxhet të parashikuar prej rreth 36,7 miliardë lekësh, ku 30,3 miliardë i përkasin Policisë së Shtetit.

Një prej zërave kryesorë është fondi prej 3,3 miliardë lekësh për rritjen e pagave të punonjësve të policisë. Nga kjo politikë pritet të përfitojnë rreth 8 500 efektivë. Për gradën inspektor, paga bazë është propozuar të rritet nga 73 mijë në 93 mijë lekë, ndërsa për kategori të tjera parashikohen shtesa nga 10 mijë deri në 15 mijë lekë.

Pa përfshirë fondin e ri të pagave, buxheti bazë i Policisë rritet me 2,4% krahasuar me vitin 2026. Me këtë fond, rritja e përgjithshme arrin në rreth 16%. Për personelin janë parashikuar 20,2 miliardë lekë, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes shpenzimeve operative dhe investimeve, përfshirë 2,5 miliardë lekë investime me financim të brendshëm dhe 2 miliardë me financim të huaj.

Për Gardën e Republikës janë parashikuar 2,8 miliardë lekë, rreth 3% më shumë se në vitin 2026. Institucioni ka evidentuar nevoja për investime prej afro 292 milionë lekësh, ndërsa fondi i planifikuar është vetëm 110 milionë lekë.

Kërkesat përfshijnë blerjen e mjeteve të transportit, integrimin e sistemeve të sigurisë dhe kamerave, rikonstruksionin e një objekti në Vlorë dhe pajisje për mbrojtjen nga incidentet. Në komision është mbështetur gjithashtu shqyrtimi i mundësisë për rritjen e pagave të punonjësve të Gardës, me synimin për t’i përafruar ato me pagat e kategorive përkatëse në Policinë e Shtetit. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar një shumë konkrete për këtë rritje.

Burgjet dhe institucionet e tjera të sigurisë

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të ketë në dispozicion 9,85 miliardë lekë, vetëm 30 milionë lekë më shumë se në vitin 2026. Institucioni ka kërkuar edhe 2,36 miliardë lekë shtesë, ku 1,61 miliardë janë për investime dhe 750 milionë për shpenzime korrente.

Ndër investimet e kërkuara përfshihen 500 milionë lekë për pajisjet e Policisë së Burgjeve, 515 milionë për sistemet e sigurisë dhe kontrollit dhe 120 milionë lekë për ndërhyrje infrastrukturore. Për shpenzimet korrente janë kërkuar 450 milionë lekë për kompensimin me ushqim të punonjësve të Policisë së Burgjeve dhe 300 milionë për uniformat.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore përballet me një ulje të financimit. Për vitin 2027 janë parashikuar 356,8 milionë lekë, nga 405,7 milionë në vitin 2026, një reduktim prej 12,1%.

Në kërkesat e saj, AMP ka paraqitur nevojën për 315,29 milionë lekë shtesë, për paga, sigurime shoqërore, shpenzime operative dhe investime. Një pjesë e konsiderueshme lidhet me zgjerimin e strukturës me 54 punonjës dhe përmirësimin e trajtimit financiar, ndërsa investimet synojnë pajisjet e sigurisë së rrjeteve dhe rinovimin e sistemeve elektronike.

Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale janë parashikuar 343,3 milionë lekë. Rreth 244,2 milionë do të përdoren për paga dhe sigurime shoqërore, 33,6 milionë për shpenzime operative dhe 65,5 milionë lekë për investime.

Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar do të ketë 114,27 milionë lekë, kundrejt 106,48 milionëve në vitin 2026. Institucioni ka kërkuar 35 milionë lekë shtesë për blerjen e një automjeti dhe pajisje të specializuara për identifikimin dhe bllokimin e sinjaleve të paautorizuara audio, video dhe radiofrekuencë.

Mbrojtja dhe emergjencat civile

Ministria e Mbrojtjes ka një nga buxhetet më të mëdha të projektbuxhetit, me 76,61 miliardë lekë për vitin 2027, nga 69,23 miliardë që kishte në vitin 2026. Financimi është planifikuar në nivelin 2,35% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe lidhet me Forcat e Armatosura, modernizimin e kapaciteteve ushtarake dhe angazhimet e Shqipërisë në NATO.

Ministria ka kërkuar ndryshimin e shpërndarjes së 1,2 miliardë lekëve mes programeve të saj. Sipas propozimit, 400 milionë lekë do t’i shtohen Arsimit Ushtarak për vijimin e projektit të Fakultetit të Arsimit Ushtarak, ndërsa 800 milionë lekë do të kalojnë te programi “Mbështetja e Luftimit”, për kapacitetet teknike dhe infrastrukturore.

Për të financuar këto ndryshime, kërkohet ulja me 1,15 miliardë lekë e programit “Forcat e Luftimit” dhe me 50 milionë lekë e programit “Planifikimi, Menaxhimi dhe Administrimi”. Pra, nuk bëhet fjalë për rritje të buxhetit total, por për rishpërndarje të fondeve ekzistuese.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka në dispozicion 5,109 miliardë lekë, ku përfshihen edhe fonde për pushtetin vendor. Ajo ka kërkuar 200 milionë lekë shtesë për të ndihmuar bashkitë në parandalimin dhe përballimin e fatkeqësive natyrore, si dhe për rikuperimin e infrastrukturës së dëmtuar.

Edhe Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit ka paraqitur kërkesa të konsiderueshme. Me një buxhet fillestar prej 183,31 milionë lekësh, institucioni kërkon 209,87 milionë lekë shtesë, kryesisht për sigurinë e objekteve dhe investime. Në listën e blerjeve përfshihen çadra strehimi, kontejnerë banimi, materiale higjienike, pajisje elektroshtëpiake dhe pajisje informatike.

Drejtësia dhe gjykatat

Për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe sistemin gjyqësor janë parashikuar 6,77 miliardë lekë. Nga kjo shumë, 4,75 miliardë janë për paga dhe sigurime shoqërore, 1,03 miliardë për mallra dhe shërbime dhe 972,5 milionë lekë për investime.

KLGJ kërkoi shtimin e 199 punonjësve në administratën gjyqësore, financimin e 90 punonjësve me kontratë dhe tre pozicione të tjera në administratën e vet. Në total, kërkesat për shpenzime operative dhe investime ishin të konsiderueshme, përfshirë 2,97 miliardë lekë për investime.

Pas shqyrtimit, Komisioni i Ligjeve propozoi 459 milionë lekë shtesë për sistemin gjyqësor. Këto fonde parashikohen për punonjës të rinj, financimin e stafit me kontratë, shërbimin e sigurisë, tarifat postare, qiratë dhe pajisjet e sigurisë në gjykata.

Ministria e Drejtësisë ka një buxhet prej 15,68 miliardë lekësh, rreth 717,26 milionë më shumë se në vitin 2026. Ministri Toni Gogu kërkoi 1,99 miliardë lekë shtesë, por Komisioni nuk i mbështeti këto kërkesa. Për nevojat e personelit dhe burgun e Shënkollit u rekomandua shqyrtimi i mundësisë së transferimit të personelit dhe financimit përkatës pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Gjykata Kushtetuese ka një projektbuxhet prej 304,58 milionë lekësh, ndërsa Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë do të financohet me 352,66 milionë lekë. Kjo e fundit ka kërkuar 131,675 milionë lekë shtesë, nga të cilat komisioni mbështeti 125,5 milionë për Sistemin e Menaxhimit të Çështjeve dhe Dokumenteve.

Institucionet e tjera dhe pushteti vendor

Projektbuxheti përfshin edhe financime për një sërë institucionesh të pavarura. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ketë 235,14 milionë lekë, ndërsa Presidenca 464,57 milionë lekë. Autoriteti i Dosjeve ka një fond të parashikuar prej 188,79 milionë lekësh, por kërkesat e tij për 44,5 milionë lekë shtesë nuk u mbështetën nga Komisioni i Ligjeve.

Komisioni i Prokurimit Publik ka një buxhet fillestar prej 128,42 milionë lekësh. Nga kërkesa për financim shtesë dhe 10 vende të reja pune, u mbështetën 40 milionë lekë, për pesë inspektorë dhe qiranë e ambienteve të punës.

Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë parashikuar 454,25 milionë lekë. Nga kërkesa për 265,47 milionë lekë shtesë, komisioni propozoi miratimin e 34 milionë lekëve për qiranë e magazinave në Vaqarr.

Ndërkohë, Radiotelevizioni Shqiptar do të marrë 940 milionë lekë financim nga buxheti i shtetit për veprimtari të caktuara. Kjo shumë është 50 milionë lekë më e lartë se në vitin 2026. Drejtorja e Përgjithshme, Eni Vasili, ka kërkuar edhe 750 milionë lekë shtesë për shpenzime korrente dhe investime teknologjike, përfshirë modernizimin e pajisjeve, mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit dhe digjitalizimin e arkivit.

Për pushtetin vendor, financimi i parashikuar për vitin 2027 arrin në rreth 114,6 miliardë lekë, me një rritje prej 2,4% krahasuar me nivelin e pritshëm të vitit 2026. Nga kjo shumë, 29,3 miliardë lekë janë transferta e pakushtëzuar e përgjithshme, 19,9 miliardë transferta e pakushtëzuar sektoriale, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga granti i performancës dhe të ardhurat e tjera të bashkive.

Në shqyrtimin parlamentar është propozuar edhe ndryshimi i formulës së ekualizimit të transfertës së pakushtëzuar, me synimin për të kompensuar bashkitë me të ardhura më të ulëta për frymë dhe për të rregulluar shpërndarjen e fondeve mes njësive vendore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.